Arbëri

Gjatë punimeve të kontraktorëve të “Termokosit” dëmtohet një gyp, lagjja “Kalabria” mbetet pa ujë

Foto: Koha

Rreth 2 orë banorët e lagjes “Kalabria” në Emshir, më konkretisht të gjitha kullat e banesave të “Arabve” janë pa ujë, kjo si pasojë e prishjes së një gypi nga kontraktorët e “Termokosit”.

Koha.net ka kontaktuar zëdhënësen e KRU “Prishtina” Arieta Mjekun, e cila megjithatë nuk ka treguar se sa mund të zgjasë mosfurnizimi me ujë.

“Aty janë duke punuar kontraktorë të NP Termokosit. Gjatë punimeve të tyre në sistemin e ngrohjes, papritmas është lëkundur gypi i ujit me diametër 160 mm. Ne e kemi ndërprerë furnizimin në ato ndërtesa, që të mos shkaktohet ndonjë pëlcitje e madhe e gypit të ujit, derisa punëtorët tanë të merren me sigurimin më të madh të tubit. Furnizimi besojmë iu rikthehet gjatë ditës”, tha Mjeku për Koha.net.

Nuk është hera e parë që në këtë lagje shkaktohen prishje të tilla, prej kur “Termokosi” ka nisur zgjerimin e rrjetit për ngrohje.

Në rrjetin e ngrohjes për herë të parë do të kyçen edhe banorët e Lagjes “Kalabria”, por ndonëse ka muaj që kanë nisur punimet, e “Termokosi” ka nisur ngrohjen në kryeqytet më 15 tetor, në këtë lagje ende s'kanë përfunduar punimet.