Kuvendi Komunal i Prishtinës ka ndarë një hapësirë ndërmjet oborrit të Qeverisë dhe Parlamentit për vendosjen e shtatores së ish-komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.
Ky vendim u mor me 30 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, ndonëse në fillim disa këshilltarë komunal nga opozita u ankuan se nuk po mund të shqyrtojnë lokacionin më të përshtatshëm, pasi sipas tyre, për këtë propozim janë njoftuar shumë vonë nga komuna, raporton KTV.
Kryetari Shpend Ahmeti ka thënë se kërkesa për caktimin e lokacionit ka ardhur nga familja Jashari, si mundësi që shtatorja të jetë e gatshme për festën e 28 nëntorit.
Shtatorja e Adem Jasharit do të qëndrojë në mes të shtatoreve të Skënderbeut dhe Ibrahim Rugovës.