Arbëri

Banorët e një rruge në Prishtinë ankohen për mos-zgjerim e asfaltim nga komuna

Ndonëse në rrugën “Ymer Paqarizi’’ të Prishtinës po kryhen punime, të pakënaqur janë banorë të kësaj lagjeje.

Gjatë së shtunës, në shenjë pakënaqësie me pushtetin komunal dhe punimet që po kryhen në këtë lagje, qytetarë të lagjes “Taslixhe’’ u mblodhën për të protestuar, raporton KTV.

Sipas tyre, komuna nuk po i merr parasysh kërkesat e ngritura nga ta, derisa thonë se këto punime u nisën për të fituar vota në kohë zgjedhjesh.

Për ta mbetet e papranueshme zvarritja e punimeve në këtë rrugë jo shumë të gjatë, derisa shprehen të pakënaqur edhe me kompaninë e kontraktuar nga komuna.

Në një intervistë për emisionin 038, drejtori për investime kapitale, Gëzim Mehmeti tha se rikonstruktimi i rrugës “Ymer Paqarizi’’ dhe rrugëve të tjera të Prishtinës ka qenë i planifikuar më herët.

Banorët e lagjes “Taslixhe’’ u shpërndanë të qetë, derisa thanë se nëse kërkesat e tyre për zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës nuk merren parasysh, do të vazhdojnë me protesta të tjera.