Arbëri

Banorët e “Lagjes së Vneshtave” në kryeqytet kërkojnë asfaltimin e rrugës 250 metra

Derisa ngjitet në rrugën me plot gropa e cila e dërgon në shtëpi, Xhemail Veseli thotë se lutet që dimri të mos e zërë atë sërish në këtë gjendje.

Ky banor i “Lagjes së Vneshtave” të Prishtinës, ankohet se gjendja e rëndë e rrugës “Peshteri”, po ua vështirëson shumë qarkullimin këmbësorëve dhe automjeteve, raporton KTV.

Veseli, tutje, tregon se që nga viti 2016 ka bërë disa kërkesa në komunë për rregullimin e rrugës së gjatë vetëm 250 metra, por që kjo ende nuk ka ndodhur.

Banorë të tjerë thonë se rrugën e përdor një numër i madh i qytetarëve, pasi përmes saj mund të mbërrijnë më shpejt në shkollë, qendër të mjekësisë dhe stacionin e autobusëve.

Përveç rrugës, banorët e kësaj lagjeje thonë se kanë edhe probleme tjera.

Në anën tjetër, komuna premton që kjo rrugë dhe të tjerat do të rregullohen brenda këtij viti.

Selim Pacolli, nënkryetar i Prishtinës, ka thënë se në disa rrugë kërkohet intervenim edhe në rrjetin e kanalizimit.