Banorët e “Veternikut” protestojnë për problemet me kanalizim, Ahmeti premton zgjidhje

Fitim Majkovci 22 September 2019 13:18
21:09

Ndonëse në numër të vogël, banorë të lagjes ‘’Veterniku’’ të Prishtinës, u mblodhën për të protestuar për një problem që i shqetëson për 20 vjet me radhë.

Banorët, që janë pjesë e lagjes ku pritet të bëhet funksionalizimi i rrugës ‘’A’’ në zonën perëndimore të qytetit, thonë se problemin më të madh e kanë me kanalizimin e hapur, raporton KTV.

Ata thonë se ky problem nuk është trajtuar nga komuna asnjëherë, derisa në mbledhjen e tyre ata dolën me një kërkesë për komunën.

E problemi me kanalizimin në këtë lagje, sipas Avdush Bajgorës, mjek specialist në QKUK, e rrezikon edhe shëndetin e tyre dhe shkakton përhapjen e sëmundjeve të ndryshme ngjitëse.

Derisa banorët e kësaj pjese të qytetit, shfaqin edhe shqetësimet e tjera që ata kanë e që, sipas tyre, nuk janë marrë asnjëherë parasysh nga qeverisjet komunale.

Ndërsa për shqetësimin e banorëve, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti thotë se do të marrë fund menjëherë pas përfundimit të projektimit të rrugës ‘’A’’.

Banorët u shpërndanë të qetë pas protestës ndërsa thanë se në rast injorimi nga komuna e Prishtinës në protestën e radhës do të bllokojnë rrugën.

13:18

Banorët e Veternikut me protestë kërkojnë rregullimin e kanalizimit – paralajmërojnë masa tjera

Banorët e lagjes Veternik të Prishtinës, kanë protestuar për shkak të një kanalizimi i cili qëndron i hapur tash e një kohë të gjatë dhe sipas banorëve po shkakton telashe të mëdha në shëndet.

Organizatori i protestës, Driton Tafallari, për çështjen e kanalizimit tha se kanë bërë kërkesë në Komunës e Prishtinës, mirëpo nuk janë përgjigjur. Sipas tij, gjendja është alarmante dhe se komuna duhet ta mbulojë kanalizimit.

“Njëri ndër problemet kryesore infrastrukturore që ne e kemi si lagje është kanalizimi i hapur i cili po na shkakton telashe të mëdha në shëndet, edhe kundërmimi është shumë i madh. Përndryshe kërkesa jonë është që Komuna e Prishtinës të mbyllë këtë kanalizim. Ne të gjithë e dimë se këtu është plani të bëhet Rruga A, mirëpo kjo rrugë premtohet sa herë ka zgjedhje, mirëpo asgjë nuk bëhet në këtë drejtim. Ne sot e kemi ftuar edhe kryetarin e Komunës dhe disa drejtori të cilat janë përgjegjëse për këtë punë, mirëpo nuk kanë ardhë. Ne si masë të parë kemi organizuar këtë protestë dhe pas kësaj kemi kërkesë nga banorët që masa të radikalizohët, ne do t’i mbyllim rrugët”, tha ai.

Image

Në mesin e protestuesve ishte edhe Avdush Bajgora, specialist reanimator në QKUK, i cili është banor i kësaj lagjeje. Ai tregoi se nëse nuk zgjidhet ky problem, banorët do të kenë sëmundje infektive, të cilat janë sëmundje ngjitëse.

“Ne nuk jemi të kënaqur sepse në qoftë se te ne ndodh ndonjë gjendje më e përgjithshme e infeksionit dhe e sëmundjeve, ajo do të përhapët shumë shpejtë edhe në qytet, por fatkeqësisht kryetari jonë është duke u marrë me fushata, e ka harru Prishtinën, kjo është mjerim që në shekullin 21 në një lokacion që konsiderohet si Prishtina e re të ketë një gjendje aq alarmante”, tha ai për Kosovapress.

Hivzi Mehmeti, banor i lagjes Veternik, tha se aq shumë kanë probleme me kundërmimin sa që nuk mundën t’i hapin dritaret.

Image

“Ne ja kemi dhënë votën Shpendit me shpresë që do të punojë për qytetarët e Prishtinës, por nuk do koment kjo punë. Ai duhet me mendu vet, natë e ditë duhet me ardh këtu me bisedu me qytetarë, ai ka premtu po asgjë s’ka ba si duket, qe 30 vite e kemi këtë problem. Apeloj që Shpendi të vijë të komunikojë me qytetarët, të jetë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Mehmeti.

Banorët paralajmërojnë që nëse nuk zgjidhet ky problem, do t’i radikalizojnë masat dhe do të fillojnë t’i bllokojnë rrugët.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme