Arbëri

Shpërthimi i gypave të ujit lë pasoja të tjera në “Dardani” të Prishtinës

Në gjendje të keqe ka mbetur parku i lojërave në lagjen “Dardania” të Prishtinës.

Kjo për arsye se pati një shpërthim të gypave të ujit, si rrjedhojë e disa punimeve që po kryheshin aty.

Për banorët e lagjes, punimet në këtë pjesë paraqesin problem madje edhe për fëmijët, derisa shprehin pakënaqësinë e tyre për gjendjen në të cilën ka mbetur parku, raporton KTV.

Problemi në këtë lagje, sipas Arieta Mjekut, nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina’’, vjen si pasojë e punimeve nga kontraktuesit e ndërmarrjes “Termokos”.

Derisa thekson se kjo nuk është hera e parë që ndodhin prishje të tilla.

Mjeku u shpreh se punimet nga kontraktuesit e ndërmarrjes së Termokosit kanë shkaktuar dëme edhe në gypat e tjerë, në pjesë të tjera të lagjes “Dardania”.

Ajo sqaroi se dëmet në lagjen “Dardania” kanë ardhur si pasojë e këtyre punimeve, ani pse kontraktuesit e kësaj ndërmarrjeje nuk ishin prezentë në ditën e dëmtimit të këtyre gypave.

E, përmes një komunikate me shkrim, nga ndërmarrja e Termokos-it kanë thënë se parregullsi të tilla nuk do të përsëriten më.

“NP ‘Termokos’ do të kërkojë më shumë përgjegjësi nga kontraktorët që punojnë në projektet tona, në mënyrë që të mos u shkaktohen dëme në infrastrukturën nëntokësore kompanive të tjera, me të cilat ndërmarrja jonë ka bashkëpunim të shkëlqyer”.

Përveç dëmtimit të gypave në këtë lagje, e pambuluar ka mbetur edhe kjo pjesë në të cilën është punuar nga ujësjellësi.

Mirëpo, Mjeku tregoi se arsyeja kryesore për mosmbulimin e kësaj grope është se gypit i duhet kohë të shtrihet, për të mos pasur nevojë pastaj për intervenime shtesë.