“Termokosi” nxjerr drunjtë disavjeçarë për futjen e gypave, premton zëvendësimin e tyre

“Termokosi” nxjerr drunjtë disavjeçarë për futjen e gypave, premton zëvendësimin e tyre

Besjana Bajrami 17 August 2019 16:59

Ndonëse në vazhdimësi mungesa e gjelbërimit është problematikë e kryeqytetit, punimet që kryejnë ndërmarrjet publike, por dhe ato private, bëjnë që edhe ato pak pjesë të gjelbëruara të zhduken.

Kjo ka ndodhur së fundmi në rrugën “Xhemajl Mustafa” në lagjen Dardania të Prishtinës, si pasojë e punimeve të NP “Termokosit” që, pas përfundimit të punimeve, pamja në këtë pjesë të kryeqytetit është krejt tjetër.

Drunjtë disavjeçarë të cilët gjendeshin skaj trotuarit në këtë rrugë, janë prerë për të krijuar hapësirë për futjen e gypave të ngrohtores.

E përveç kësaj, edhe rruga nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme, duke u shkaktuar vështirësi banorëve të kësaj pjese.

Koha.net ka kontaktuar me zëdhënësen e “Termokosit”, Afërdita Ukaj, e cila ka thënë se kontraktori është i obliguar që ta rregullojë rrugën derisa ka shtuar se të gjitha obligimet do të kryhen në koordinim të plotë në mes të Komunës dhe kontraktorit.

Ajo tutje ka shtuar se, në bazë të lejes për gropim, që është marrë nga Komuna e Prishtinës për realizimin e punimeve në projektin për rehabilitimin e rrjetit ekzistues të ngrohjes, të financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), janë të specifikuara qartë të gjitha kushtet që duhet të plotësojë kontraktori që ka kryer punimet në rrugën “Xhemajl Mustafa”.

“Ashtu sikur për punimet, edhe rikthimi i asaj rruge në gjendjen e mëparshme (përfshirë këtu të gjitha dëmtimet që mund të jenë shkaktuar gjatë kryerjes së punimeve në atë pozicion) do të kryhen në koordinim të plotë në mes Komunës dhe kontraktorit”, ka thënë ajo.

Ndërkaq zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu ka thënë për Koha.net se drunjtë do të zëvendësohen në raport 1 me 5.

Sipas saj, në marrëveshjen me “Termokosin” është përcaktuar se do të mbillen dy drunj dekorativë “Tilia officinarium” (bli), një dru dekorativ “Acer Platanoides” (rrap) dhe dy drunj dekorativ “Prunus Salicina” (kumbull japoneze)

“Drunjtë duhet të kenë sistem rrënjësor të konsoliduar, të kultivuar në vazo dhe të jenë 15 vjeçar. Koston për furnizim dhe mbjellje të drunjve e bartë parashtruesi i kërkesës derisa koha dhe vendi i mbjelljes përcaktohet nga Komuna e Prishtinës”, thuhet në marrëveshjen mes Komunës dhe NP “Termokos”.

Ndërkaq, sipas saj, me NP “Termokosin” janë marrë vesh që ta bëjnë bllokimin e përkohshëm të rrugës “Xhemajl Mustafa” nga data 25.05.2019 deri më 09.06.2019.

Sipas marrëveshjes, bllokimi i rrugës së lartëcekur, është bërë me qëllim të rritjes së sigurisë për pjesëmarrës të trafikut në këtë rrugë dhe krijimit të kushteve për ekzekutimin e kësaj pjese të projektit.

“Gjatë kohës sa është rruga e bllokuar, operatori kontraktues duhet të kujdeset që: të orientohen automjetet dhe këmbësorët në pjesët që nuk janë me rrezik, të mos lejohen persona të paautorizuar të hyjnë në këtë pjesë, pas përfundimit të punëve dhe sanimit të gjendjes rruga të lëshohet në qarkullim të rregullt, të lajmërojë Policinë e Kosovës dhe në rast nevoje të kërkojë asistencë”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës.

Ndonëse Koha.net ka kërkuar të dijë një afat kohor se kur do të bëhet rregullimi i rrugës dhe mbjellja e drunjve, në përgjigjet e dy institucioneve nuk është ofruar një informacion i tillë.

Ndërkaq, banorët e lagjes kanë thënë se këto punime ua kanë vështirësuar jashtëzakonisht shumë jetën, pasi që rruga ka mbetur në gjendje të keqe pas përfundimit të punimeve. Ata, në kushte anonimiteti, kanë thënë se gjelbërimi i kësaj pjese është zhdukur dhe tashmë po shfrytëzohet si parking automjetesh.

Edhe bizneset që operojnë në atë lokacion kanë ankesa pasi që mbyllja e rrugës gjatë kohës sa kanë zgjatur punimet ka bërë që klientët t’u ikin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme