Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, njofton qytetarët se çdo ditë kanë kërkesa për ujë të pijshëm, prandaj, apelojnë që uji të shpenzohet racionalisht.
“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është minus 4.57 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit minus 5.95 metra nën kuotën maksimale. Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë. Të shpenzojmë ujin e pijshëm për nevoja shtëpiake dhe assesi për destinime tjera të paarsyeshme”, thuhet në njoftim.
KRU “Prishtina” thotë se me të gjitha kapacitetet teknike trajtuese është duke bërë shpërndarje të barabartë të ujit të pijshëm te të gjithë konsumatorët.
“Ankesat e konsumatorëve në disa pika të larta të furnizimit, në objekte që janë të ndërtuara mbi kuota të rezervuarëve, janë prezente dhe kjo krejt për shkak të keqpërdorimit të ujit që po ndodhë në pika të ulëta furnizuese”, përfundon komunikata.