Arbëri

Prishtina shpall tenderin për pritore të autobusëve në kryeqytet

Premtime të mëdha janë dhënë për planin e mobilitetit nga udhëheqësit e Prishtinës.

Se investimet që i parasheh ai nuk janë realizuar, vërehet lehtë në qytet me gjendjen e njëjtë, sidomos në transport publik.

Sa herë që bie shi në shumë pjesë qytetarët duhet të presin autobusin në shi, në mungesë të pritoreve, raporton emisioni “038” i KTV-së.

Por kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se reforma që propozohet me plan të mobilitetit nuk mund të bëhet shpejt. Ai tha se për pritore tashmë ka dalë tenderi.

Ahmeti ka thënë se aktualisht janë në bisedime me operatorët privatë dhe se të gjithë autobusët në Prishtinë do të kenë një ngjyrë.

Plani i mobilitetit propozon që nëpër stacione autobusësh të ketë edhe tabela informuese me orar të autobusëve dhe qarkullim të tyre.