Prishtina shënoi sot Ditën e Çlirimit, ishte një udhëtim i vëçshtirë

Prishtina shënoi sot Ditën e Çlirimit, ishte një udhëtim i vëçshtirë

11 June 2019 14:30

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancë solemne për nder të Ditës së Çlirimit të kryeqytetit.

Me këtë rast u tha se rruga e popullit të Kosovës deri të liria ishte me sakrifica të madhe, duke përfshirë vrasje të luftëtarëve e intelektualeve, burgosje, tortura e djegie të shtëpive në lagjet e periferitë e kryeqytetit, dhe gjithë Kosovës,.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Agim Kuleta, tha se rruga drejt lirisë ka qenë e vështirë dhe e mundimshme, ku pushtuesi serb ka refuzuar në të gjitha mënyrat paqen e ofruar nga populli ynë. Tha se pushtuesi ka kërkuar që të heqim dorë nga shtetësia e jonë si komb.

‘Kemi hequr të zinjtë e ullirit për të ruajtur paqen me pushtuesin, përderisa pushtuesi e ka shfrytëzuar këtë paqe për ta renduar robërinë mbi ne. Por pikërisht kjo qartësi e qëllimit na ka mbajtur të paluhatur. Pikërisht kjo qartësi e qëllimit i ka bërë më të vetëdijshëm edhe të tjerët për vendosmërinë tonë. Siç e dimë të gjithë rruga deri këtu ka qenë rrugë aq vështirë sa di të jetë vetëm një rrugë lirie. Prandaj sot si popull i lirë qëndrojmë nën peshën e rëndë të lirisë sonë”, tha ai.

Kuleta ndër tjerash tha se dje luftuam kundër egos së tjerëve ndaj nesh, ndërsa sot duhet të luftojmë kundër egos ndaj vetvetes.

“Dje kemi luftuar kundër egos së sëmurë të tjerëve ndaj nesh, pra të pushtuesit ndaj të pushtuarve , sot duhet të luftojmë kundër egos sonë ndaj vetvetes. Sepse egoja është armiku më i madh i lirisë së vetes dhe lirisë së tjetrit, është pushtuesi i energjisë pozitive dhe i vlerave që mund të prodhoj kjo energji në shoqëri. Është një sëmundje që dërgon në shkatërrim dhe në shkatërrimin e tjetrit”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Prishtinë, Fatmir Sopi, ka kujtuar momentet e 20 viteve më parë nga betejat e UÇK-së duke përmendur edhe ndërhyrjen e NATO-s në Prishtinë.

“Kjo ditë e madhe kthen kujtesën tonë 20 vite më parë ku u zhvillua njëra nga betejat më të guximshme të UÇK-së në rajonin e Prishtinës. Qysh në ditët e para të qershorit 99’ u mor vendimi që njësitet e gueriles BIA të cilat kishin përgjegjësinë e veprimeve ushtarake në Prishtinë të merreshin me sigurimin e bazave të nevojshme dhe informacioneve mbi lëvizjet, aktivitetin, dhe pozicionet e forcave serbe. Pas analizave të nevojshme dhe informacioneve të forcave policore, ushtarake , paramilitare serbe kanë filluar plaçkitjet, djegiet shtëpitë nëpër lagjet periferitë e Prishtinës, u dha urdhri që njësitet më elite Brigadës 153 dhe të gueriles t BIA të cilat e mbanin të rrethuar Prishtinën të futeshin në kryeqytet. Forcat serbe të ndodhura përballë sulmeve të UCK-së dhe kërcënimeve të vazhdueshme të NATO-s dhe bombardimeve të tyre, u detyruan të fortifikohen nëpër kazerma duke pritur momentin e tërheqjes përfundimtare nga Prishtina. UÇK-ja kontrollonte pothuajse tërë Prishtinën dhe me datë 11 qershor 1999 ngriti flamurin kombëtar duke shpallur kryeqytetin të lirë. Në këtë moment u realizua ëndrra shekullore e popullit tonë”, tha ai.

E delegacioni i Komunës së Prishtinës gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe edhe te varrezat e dëshmorëve të Prishtinës.

Kryetari i Kuvendit komunal, Agim Kuleta, tha se mesazhi i homazheve më shumë se kujtim ndaj të rënëve , është përkujtim për brezat e ardhshëm që ta ndjekin rrugën tyre.

‘Kjo përveç si ditë feste është edhe ditë e përkujtimit e për të gjitha ata që kanë rënë që ne sot të jemi të lirë. Çështja e kujtimit dhe nderimit të dëshmorëve duhet te jetë një çështje e mentalitetit kolektiv Pra të gjithë duhet të punojë që të realizojmë amanetin e tyre dhe kujtimi i tyre nuk ka të bëjë vetëm me punën që kanë bërë ata dje dhe vetëm me të djeshmen, por ka të bëjë edhe me përgatitjen dhe projektimin e të ardhmes sonë”, tha ai.

Theksojmë se në seancën solemne të Kuvendit të Prishtinës, nuk ishte i pranishëm Kryetari i Komunës së Prishtinë, Shpend Ahmeti./KosovaPress.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme