Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shkëlzen Xhafa, ka thënë se do të fillojë të implementohet plani për gjobitjen dhe konfiskimin e veturave të cilat janë të parkuara keq dhe përbëjnë rrezik për këmbësoret.
Ai në emisionin “038” në KTV ka thënë se ky plan do të ndërmerret për shkak të vështirësive me të cilat po ballafaqohen qytetarët.
“Çdo ditë qytetarët janë ballafaquar me vështirësi që të lëvizin të lirë, prandaj ne kemi krijuar një plan operativ për lirimin e rrugëve. Ne kemi dashur t’i qasemi më ndryshe se herëve të kaluara”, ka thënë ai.
Ai thotë se plani është ndarë në tri faza.
“Planin e kemi ndarë në tri fazë, fazë e parë është e vetëdijesimit, faza e dytë është e implementimit, faza e tretë është të shikojmë nëse kjo metodë është e mjaftueshme dhe e domosdoshme”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se nuk do të kenë tolerancë për ata të cilët rrezikojnë qytetarët.
“Ne do të kemi tolerancë zero. Në disa raste automjeti mund të mos konfiskohet por mund të shqiptohet dënimi. Nëse automjetet përbëjnë rrezik për qytetarët dhe veturat tjera do të konfiskohen, ndërkaq automjetet të cilat nuk paraqesin rrezik por janë të parkuara keq do të gjobitën”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se në mesin e rrugëve të cilat kanë probleme më të mëdha në parking janë rruga "B" dhe rruga “Rexhep Luci”.
Ai ka thënë se më datën 24 qershor do të rishikohet i gjithë plani nëse kjo metodë është e mjaftueshme apo e domosdoshme.