Një projekt-rregullore të re për organizimin e parkingjeve të Prishtinës e ka hartuar rishtazi Komuna e Prishtinës, përmes së cilës synon të rregullojë njërin ndër problemet më të mëdha në kryeqytet.
Kështu, Komuna ka hartuar rregullore për vendparkingjet ndërkohë që ende nuk është funksionalizuar as Ndërmarrja “Prishtina parking”, themelimin e së cilës e kishte miratuar Kuvendi Komunal në fillim të vitit 2016, me të vetmin funksion, gjetjen e zgjidhjes së problemeve me parkingjet në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo rregullore, e cila pritet të dalë edhe në diskutim publik, është përgatitur me qëllim të përcaktimit të zonave të vendparkimeve, kushteve për shfrytëzimin e tyre, mënyrës së pagesës, çmimit dhe llojit të biletave për vendparkim, mënyrës së shfrytëzimit të tyre dhe mbikëqyrjes për parkimin e veturave në territorin e Komunës së Prishtinës, thuhet në hyrje të saj.
Aty parashihet lejimi i tri llojesh të parkingjeve, siç janë vendparkimet publike, me kohë të caktuar ku bëjnë pjesë vendparkimet përgjatë rrugëve publike dhe hapësirave të destinuara si vendparkime publike, pastaj ato “parko dhe udhëto”, si dhe vendparkimet në zonën e veçantë-Gërmi. Pas tyre, janë paraparë vendparkimet me PPP-garazhet dhe vendparkimet private.
Në nenin 4 të kësaj rregulloreje, definohen saktë hapësirat për vendparkime publike, të cilat do të menaxhohen nga operatori i përzgjedhur nga Komuna, por të cilat po ashtu mund t’i jepen në shfrytëzim me vendim të veçantë nga Drejtoria e Shërbimeve Publike edhe institucioneve vendore, ndërkombëtare dhe diplomatike.
Ndërkaq, vendparkimet me PPP do të menaxhohen nga një operator privat i përzgjedhur përmes procedurave të prokurimit, kurse ato private do të menaxhohen nga vetë pronarët e tyre, por të cilët paraprakisht duhet të marrin leje për këtë, duke plotësuar standardet e kërkuara si dhe duke i paguar taksë Komunës....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)