Ademi thotë se bllokimi i xhirollogarive të kompanisë “Pastrimi” rrezikon fondin 27 milionësh nga Gjermania

Ademi thotë se bllokimi i xhirollogarive të kompanisë “Pastrimi” rrezikon fondin 27 milionësh nga Gjermania

19 April 2019 21:03

Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” të premten i janë bllokuar xhirollogaritë bankare nga Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).

Një gjë të tillë e ka quajtur të padrejtë zëdhënësja e kësaj kompanie, Arbnora Ademi, në një bisedë në emisionin 038 të KTV-së.

Sipas saj, mbyllja e xhirollogarive paralizon punën e tyre, ndërkaq ka potencuar se një borxh i tillë është krijuar nga mos përgjegjësia e qytetarëve të cilët nuk i kanë paguar shërbimet e kompanisë.

“Kjo ka ndodhë si pasojë e një borxhi të grumbulluar nga KMDK-ja. Ky borxh është grumbulluar nga mos-inkasimi i të hyrave nga kompania. Qytetarët nuk kanë kryer obligimet për të paguar faturat ndërkaq kompania ka qenë e detyruar t’i kryejë shërbimet e saj”, ka thënë ajo.

Ademi në emisionin “038” në KTV, ka thënë se kompania nuk do të mund të funksionojë nëse organet kompetente nuk do të ndërmarrin masa për hapjen e xhirollogarive, pasi që sipas saj, nuk do të kenë mjete për t’u furnizuar me derivate.

Ajo tutje ka shtuar se nga ky veprim rrezikohet puna e 600 punëtorëve të kompanisë.

“Ne e kemi të pamundur të funksionojmë pa xhirollogari, nëse institucionet nuk marrin masa, atëherë 600 punëtorët e kësaj kompanie mund të mbesin pa punë”, ka shtuar ajo. “Për ne është e papranueshme tarifa e kamatës prej 732,601.82 euro nga KMDK-ja sepse nuk bazohet në aktgjykimin e Gjykatës. Ne i kemi njoftuar institucionet për gjendjen tonë dhe presim në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë”.

Ajo ka shtuar se janë afër 8 milionë euro borxh që duhet të falen nga kjo kompani, duke theksuar edhe mos-rimbursimin nga familjet me asistencë sociale e që sipas saj rëndojnë gjendjen financiare të kompanisë.

“Lidhur me faljen e borxheve, janë 8 milionë euro që duhet të falen, kemi një numër të madh të familjeve sociale që nuk jemi rimbursuar nga Komuna apo Qeveria dhe kjo e rëndon gjendjen tonë”, ka thënë ajo.

Ademi ka deklaruar se rrezikojnë një fond prej 27 milionë eurove nga Banka Gjermane për Zhvillim nëse këto xhirollogari nuk hapen.

“Kompania ‘Pastrimi’ është në periudhën e negociatave me Bankën Gjermane për Zhvillim KFW, të cilët kanë bërë studim të fizibilitetit për të investuar në shumë prej 27 milionë eurove, investim i cili do ta bënte kompaninë ‘Pastrimi’ lider në Ballkan, por pas këtyre rrethanave rrezikohet ky investim, e që do të ishte humbje e madhe për gjithë shtetin”, ka thënë ajo,

Vlera e borxhit të Kompanisë “Pastrimi” është 1,394,449.65 euro, borxh i trashëguar ndër vite që nga koha e pasluftës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme