Arbëri

Evakuohen disa banorë të lagjes së “Muhaxherëve” pas rrezikut nga shembja e dheut

Foto: Koha

Disa familje janë evakuuar gjatë natës të së enjtes nga shtëpitë e tyre, në rrugën “Engjëll Berisha” të lagjes së “Muhaxherëve” në Prishtinë me vendim të zyrtarëve komunalë dhe Policisë së Kosovës, pas konstatimit për rrezik nga shembja e dheut afër objekteve të tyre të banimit, e cila kishte ardhur si rezultat i punimeve që po bënte një kompani private e ndërtimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Komandanti i stacionit “Qendra” të Policisë së Kosovës, Shkelzen Xhafa, ka deklaruar për gazetën se Policia ka dalë në terren e para, pasi që ishte ftuar nga banorët, në ora 1:00 të mesnatës.

“Kemi shkuar në vendin e ngjarjes, dhe pastaj e kemi kontaktuar Komunën e Prishtinës, përkatësisht - sektorin e Emergjencës dhe Inspektoratin. Ata kanë marrë vendim që t’i evakuojnë tri familje”, ka thënë Xhafa.

Sipas tij, kjo ka ndodhur në ora 1:00 të mëngjesit të së enjtes. Ndërkaq, Policia ka shkuar sërish në vendin e ngjarjes, në ora 8:00 të mëngjesit, me hetuesit policorë për të hetuar nëse rasti paraqet rrezik për banorët përreth.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)