Një pritore e autobusit ndodhet mbrapa objektit të Komunës së Prishtinës, ndryshe në pjesën e njohur si “Te Plepat”.
Mbuloja nga xhami i është thyer, derisa vetë banorët kanë vendosur mbështetëse të orendive shtëpiake, raporton emisioni 038 i KTV-së.
Në këtë lokacion kalojnë shumica e linjave urbane dhe numri i udhëtarëve që presin autobusin gjatë ditës është shumë i madh.
E, te “Tri kapelat”, banorët kanë vendosur karrige druri. Për shoqërinë civile, mosvendosja e pritoreve është duke u vonuar.
Ndërrimi i tyre ka qenë premtim i kryetarit Shpend Ahmeti, qysh në fushatën për mandatin e parë në vitin 2013.
Rregullim të tyre kërkon edhe Plani i Mobilitetit.
Në ndërmarrjen “Trafiku Urban”, thonë se investimi në stacione, e në veçanti në vendosje të orareve, do ta përmirësonte edhe punën e tyre.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pritoret e reja do të jenë gati në qershor dhe së shpejti do të dalë tenderi për to.
Plani i Mobilitetit rekomandon edhe rishikim të vendndalesave të autobusëve.
Në disa vende janë afër shumë, e në të tjera autobusët nuk ndalen në distanca të mëdha.
Linja 3 ndalet te “Qafa” dhe që nga aty nuk ndalet më askund deri te stacioni që njihet si “Xhamia e Llapit”.