Arbëri

Inspektorati shqiptoi 90 gjoba për një javë në Prishtinë

Drejtori i ri i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri në emisionin “038” të KTV-së, ka thënë se gjatë kësaj jave janë shqiptuar 90 gjoba për shkelje të ligjit në kryeqytet.

Tahiri ka thënë se gjobat janë shqiptuar për taksitë ilegalë, për autobusët ndërurbanë dhe për kompanitë nënkontraktuese të Komunës, ndërsa shitësve ambulant në sheshet e Prishtinës ua kanë konfiskuar mjetet e punës.

“Është e vërtetë që ka pak inspektor, në ndërtim janë vetëm pesë e në secilin rast duhet të jenë dy inspektorë. Kemi arritur që të gjejmë shkelje nëpër kryeqytet dhe të shqiptojmë 90 gjoba gjatë kësaj jave”, ka thënë Tahiri.

“Në shesh kësaj radhe kemi funksionuar më ndryshe. Gjatë kësaj jave kanë qenë dy inspektorë në shesh dhe janë larguar shitësit ambulantë. Prej 90 gjobave asnjë nuk është ndaj këtyre shitësve”, ka shtuar ai.

Tahiri ka thënë se një gjobë është shqiptuar edhe ndaj kompanive që bëjnë ndërhyrje infrastrukturore, pasi nuk kthejnë në gjendjen e mëparshme pas punimeve.

“Shumë prej kompanive që bëjnë ndërhyrje infrastrukturore edhe pse marrin lejen prej drejtorive, ato nuk respektojnë ligjet dhe pas punës nuk kthejnë infrastrukturën në gjendjen e mëparshme”, ka thënë veç të tjerash ai.