Arbëri

Salihaj konfirmon se AAK-ja i bëri presion për regjistrim fëmijësh në shkolla

Presione të mëdha, thotë Jonuz Salihaj se ka pasur nga udhëheqës të AAK-së në Prishtinë, madje edhe nga deputetë, për të pranuar nxënës nëpër shkollat e mesme të kryeqytetit.

Presioni më i madh, sipas tij, ka qenë për shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Ali Sokoli”.

Salihaj thotë se, pikërisht për shkak të rezistencës së tij, dega e AAK-së në Prishtinë ka kërkuar nga kryetari Shpend Ahmeti që ta shkarkojë atë nga posti, raporton KTV.

Salihaj thotë se në këtë çështje nuk ka qenë i involvuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Drejtori i shkarkuar nga Ahmeti, thotë se ka pasur kërkesa edhe për punësim të militantëve partiakë, por që këtë e ka pasur të pamundur pasi që, sipas tij, PSD-ja, në mënyrë të paligjshme, ka bërë rekrutimin e mësimdhënësve përmes burimeve njerëzore.

Akuzat i ka mohuar kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Brahim Mehmetaj, i cili deklaratat e Salihajt i quajti gënjeshtra.

“Pas shumë ankesave të qytetarëve në adresë të z. Jonuz Salihut për mospërgjigje, për mospërfillje, për anashkalime dhe injorim, gjithashtu në bazë të analizës së ekspertëve tanë të arsimit, niveli i tij i performancës profesionale nuk ka qenë i kënaqshëm”, ka thënë Mehmetaj.

E, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se AAK-ja me të cilën është në koalicion në Prishtinë, nuk është pajtuar me qëndrimet dhe punën e Salihajt.

Në premtimin e radhës, Ahmeti ka thënë se drejtori i Kulturës dhe ai i Arsimit do të emërohen deri në fund të kësaj jave. Ai ka bërë të ditur se drejtoria e Arsimit do t’i takojë partisë së tij, PSD, mirëpo në këtë pozitë do të emërohet një person që nuk është pjesë e politikës.

Ahmeti ia ka marrë AAK-së Inspektoratin dhe ia ka dhënë një drejtori më të rëndësishme, atë të pronës, të cilën do ta udhëheqë Brahim Mehmetaj.

Nga prona, Dren Kukajn e PSD-së, Ahmeti e ka dërguar në krye të drejtorisë së Mirëqenies Sociale. Valbona Osmani do ta zëvendësojë Nora Kelmendin në Kadastër.

Zëdhënësi i deritashëm i komunës, Adonis Tahiri, do të jetë drejtor i Inspektoratit.