Arbëri

Ahmeti dorëzon padinë ndaj VV-së

Descriptive Text

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka paditur për shpifje Lëvizjen Vetëvendosje, rreth një muaj pasi kjo parti ushtroi kallëzim penal me pretendimin se Ahmeti ka keqpërdorur 530 mijë euro në tenderin me qumësht për nxënësit.

Pasi dorëzoi padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Ahmeti tha se në padi ka kërkuar dëmshpërblim, të cilin sipas tij do ta caktojë gjykata.

Ahmeti ka përsëritur se procedurat kanë qenë të hapura dhe se çmimi i qumështit të blerë ka qenë më i liri në Kosovë.

Ai ka shtuar se VV-ja nuk është e interesuar për paranë publike por për të gënjyer.

Ahmeti i ka kërkuar ballafaqim televiziv Albin Kurtit për qumështin dhe temat tjera, duke thënë se ai nuk duhet të fshihet prapa aktivistëve të tij.

“E kam ftuar në ballafaqim, hajdeni në çdo televizion, ama le të vijë kryetari, mos të fshihet prapa Fitores, Valdrinave, Emanave, sepse i njohim këta. Do të ishte mirë me dal në debat, ballafaqohemi për krejt temat, edhe për qumësht edhe për qeverisje, edhe për Devollët, në çfarëdo televizioni, dhe tregojmë kush po rren në këtë mes”, ka deklaruar ai, raporton KTV.

Në janar, ish-partia e Ahmetit, Lëvizja Vetëvendosje, ka dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe lidhje të kontratës së dëmshme.