Arbëri

Gashi: Bartja e 25 milionëve, dështim skandaloz qeverisës në Prishtinës

Raporti financiar 2018 i kryetarit të Komunës së Prishtinës është dokumenti më i saktë që flet për të arriturat apo dështimet skandaloze të qeverisë së tij dhe vetë atij për periudhën një janar – tridhjetë e një dhjetor 2018, shkruan Agim Gashi, këshilltar nga radhët e LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, njëri prej drejtorëve komunalë në kohën kur Prishtina qeverisej nga LDK-ja.

Pasqyrat financiare tregojnë se , si rezultat i dështimeve qeverisëse në fushën e shpenzimeve kapitale, shërbimeve dhe mallrave dhe subvencioneve dhe transfereve, barten për vitin 2019 hiç më pak se 25 milionë euro. Pra, kjo qeveri, nuk ka arritur të investojë në fushat më të rëndësishme siç është arsimi, infrastruktura e ujërave të zeza dhe ajo rrugore, mirëmbajtja e rrugëve dhe hapësirave publike, subvencionimet në bujqësi dhe zhvillimi rural, fusha e kulturës , rinisë dhe sportit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale dhe aq më keq, qe gjashtë vjet nuk arriti të hartojë dhe miratojë Hartën Zonale, si dokument obligativ bazik ligjor, nga i cili krijohen kushte ligjore për t’i përmbushur kërkesat dhe nevojat për t’i ndryshuar planet rregullative të hollësishme në Prishtinë, thekson Gashi në reagimin e tij.

Kjo paaftësi qeverisëse po ndodhë në kohën kur Prishtinës i mungojnë shtatë objekte shkollore, i mungojnë me dhjetëra institucione parashkollore, i mungon rrjeti i kanalizimit komplet në Matin 1 dhe në Kalabri, në Hajvali (prapa Pallatit të Drejtësisë e deri në Çagllavicë), në Fushën e Pajtimit, në Llukarë e deri në Grashticë, në Mramor dhe shumë vendbanime të tjera; mungon rrjeti i ujësjellësit në dhjetëra fshatra të Komunës së Prishtinës; mungon deponia për mbeturina nga konstruksioni dhe demolimi, mungon Plani i Mobilitetit, mungojnë hapësirat dhe objektet e parkingjeve, mungojnë subvencionet në bujqësi, kulturë, arsim, transport dhe mirëqenie sociale, mungojnë investimet në ndërtimin e kolektorit në Kalabri dhe Matin1, mungojnë investimet në Rrugën A dhe Rrugën B dhe mbi të gjitha, mungon gatishmëria për të krijuar një trupë qeverisëse me kuadro të mira profesionale dhe të koordinuar nga një kryetar që do të jetë përgjegjës para votës së qytetarit të Komunës së Prishtinës.

Bartja e 25 milionëve të pashpenzuara nga viti 2018 në vitin 2019 është dëshmia më e mirë se kryetari i Prishtinës dhe qeveria e tij kanë dështuar skajshmërisht, sepse nuk mund të ketë sukses një qeveri e formuar nga pesë subjekte politike të cilat shantazhojnë njëra-tjetrën, por edhe vetë programin qeverisës. Nuk mund të ketë sukses në qeverisje kryetari i Prishtinës i cili, në vend që të merret me zgjidhjen e problemeve të panumërta të Prishtinës, ka pranuar rol të dyfishtë, atë të anëtarit negociator për zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Nuk mund të arrijë sukses në realizimin e programit investiv një kryetar i cili rrit numrin e drejtorive pa asnjë kriter , vetëm për të përmbushur orekset e subjekteve politike në koalicion. Po ashtu një kryetar dhe një qeveri komunale, siç është kjo e Prishtinës, do të dështojë gjithnjë nëse vazhdon të funksionojë dhe të qeverisë me këtë mendësi qeverisëse duke mos përfillur rregullat elementare të bashkëpunimit, jo vetëm brenda vetes, por edhe me të gjithë faktorët përreth vetes, brenda Kuvendit dhe grupeve të tjera të interesit jashtë Komunës, konstaton në reagimin e tij Agim Gashi, këshilltar i LDK-ës në Kuvendin e Komunës së Prishtinës.