Arbëri

Projektligji për paga do t’i barazojë pagat e kryetarëve të komunave me ato të ministrave

Status të veçantë ka marrë Komuna e Prishtinës, në momentin që është miratuar Ligji për kryeqytetin.

Një grant shtesë ka marrë kryeqyteti në bazë të këtij ligji.

Derisa Ligji për kryeqytetin rregullon shumë çështje, ai nuk përmend fare pagat.

Megjithatë, me Projektligjin për paga, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti do të ketë rritje page dhe do të arrijë në nivelin e një ministri, raporton “038” i KTV-së.

Njëjtë sa Ahmeti, do të paguhen edhe kryetarët e komunave tjera.

Përfitues të Projektligjit të pagave janë edhe asamblistët.

Autoritetet komunale të Prishtinës vazhdimisht kanë kundërshtuar shifrat e 200 mijë banorëve nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011.

Në Prishtinë jetojnë edhe shumë studentë e punonjës nga komunat e tjera, të cilët shërbimet komunale i marrin pikërisht në komunën më të madhe në vend.

Njëjtë ka ndodhur edhe të enjten e javës që po e lëmë pas, kur shërbyesit civilë ishin në grevë.

305 mijë kërkesa i kanë pasur shërbyesit civilë të Prishtinës në vitin 2018.

Kjo shifër, sipas tyre, është dyfish më e madhe sesa në komunat e mëdha si, Prizreni e Ferizaj dhe dhjetëfish më e madhe sesa kërkesat që kanë komunat e vogla si, Novobërda e Dragashi.

Për këtë, shërbyesit civilë në Prishtinë kanë vazhduar grevën duke kërkuar që me projektligjin për paga, të vlerësohen njëjtë si punëtorë të një ministrie, e jo sikurse komunat e tjera.

Kërkesa e tyre nuk është përkrahur në Komisionin Parlamentar për Administratë Publike dhe Media, ndonëse ishe propozuar nga PSD-ja.

Në Ministrinë e Administratës Publike kanë komentuar kërkesat e shërbyesve civilë të Prishtinës.

Me projektligjin për pagat, të gjithë shërbyesit civilë janë trajtuar të barabartë, si në nivelin qendror ashtu dhe në nivelin komunal, duke bazuar në parimin: “Pagë e njëjtë për punë të njëjtë”, ka thënë Zeqir Bekolli, zëdhënës në këtë ministri.

Ndryshe, projektligji për pagat pritet të miratohet të shtunën nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.