Arbëri

Shtyhet zgjerimi i rrjetit të ngrohjes së qytetit për një vit

Zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore e kanë përmendur pothuajse të gjitha institucionet e Kosovës, si një ndër proceset që ndikon shumë në zvogëlimin e ndotjes enorme të ajrit në Prishtinë, por “Termokos”-i, nuk e ka zgjeruar atë as sivjet.   

Ndonëse, ishte promovuar së tepërmi vitin e shkuar, se zgjerimi i rrjetit do të niste në pranverë të këtij viti, së paku në dy lagje: “Kabalbri” dhe “Mat”, kjo punë është shtyrë edhe për një vit, shkruan sot Koha Ditore.

Këtë ia ka konfirmuar KD-së zëdhënësja e “Termokos”-it, Afërdita Uka, e cila me gjithë vonesat në zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, procesin e koogjenerimit e quan “projekt të suksesshëm”. 

“Në saje të realizimit të suksesshëm të projektit të koogjenerimit, nga partnerët tanë ndërkombëtarë, tashti janë siguruar mjetet financiare edhe për projektin e zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, nisja e ekzekutimit të punimeve në terren do të nisë në pranverë të vitit të ardhshëm”, ka thënë Uka-Fejzullahu.

Ajo ka shtuar se nisjes së ekzekutimit të punëve në terren i ka paraprirë një proces i gjatë, nëpër të cilin kalojnë zakonisht projektet e tilla.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)