Arbëri

70 mijë euro për dekorime këtë vit, Ahmeti thotë se nuk janë shumë

Komuna e Prishtinës ka ndarë rreth 70 mijë euro për ta dekoruar kryeqytetin për festat e fundvitit, rreth 12 mijë euro më shumë se vitin e kaluar. Kryetari Shpend Ahmeti e ka arsyetuar këtë shumë duke thënë se dekorimeve u gëzohen shumë qytetarë dhe se nga to përfitojnë edhe bizneset, raporton 038 e KTV-së.

Ditët e para të dhjetorit pritet ta gjejnë Prishtinën të dekoruar për festat e fundvitit. Për pajisjen e qytetit me drita e stoli dekorative, Komuna sivjet ka ndarë më shumë para.

Vitin e kaluar ishin ndarë mbi 57 mijë euro, ndërsa sivjet për zbukurimin e kryeqytetit do të shpenzohen rreth 70 mijë euro.

Sheshet e Prishtinë për festat e sivjetshme do të kenë këtë pamje.

Sipas Kryetarit Shpend Ahmeti, procedurat e tenderimit kanë përfunduar dhe se emri i kompanisë e cila do ta marrë përsipër dekorimin e shesheve dhe rrugëve, do të dihet pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ta shqyrtojë ankesën e një operatori.

"I kemi përfunduar procedurat e prokurimit, si duket e kemi pasur një ankesë nga një operator dhe po presim tash që OSHP-ja të marrë vendim. Përafërsisht, sikur edhe çdo vit tjetër, janë paraparë rreth 70 mijë euro për dekorimin e qytetit”.

Komuna është kritikuar vazhdimisht se shpenzon pa nevojë shuma të mëdha parash për dekorime, por Ahmeti thotë kjo ka elementet e saj pozitive.

“Kjo temë po bëhet gati çdo vjet, se a janë pak apo shumë. Por, ka tepër shumë fëmijë, familje të cilët i gëzohen dekorimit të qytetit dhe po ashtu ndikon tepër mirë në bizneset të cilat janë përreth jo vetëm sheshit, por edhe hapësirave tjera”.

Komuna ka bërë shpallje publike për biznese të ndryshme private të cilat dëshirojnë të rregullojnë pjesë të caktuara të qytetit.

Ahmeti thotë se janë shumë të kënaqur me numrin e bizneseve që janë lajmëruar si vullnetare për të dekoruar pjesë të ndryshme të kryqytetit.

Edhe sivjet, në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të vendosen shtëpiza prej druri në kuadër të aktivitetit “Verë n’Dimën”, në të cilat kafiteri të ndryshme ofrojnë shërbime për qytetarët.

“Besoj që sot ka dalë më duket shpallja për të gjitha bizneset e interesuara që të marrin pjesë. Sivjet kemi një interes të jashtëzakonshëm, kjo nga pyetjet që kanë ardhur ende pa e shpallur fare. Pra, do ta kemi edhe sivjet atë traditën e tregut të fundvitit, të gjitha atyre kafiterive ku bëhet atmosfera tepër e mirë”.

Zakonisht, dekorimet dhe shtëpizat e “Verë n’Dimën” qëndrojnë në kryeqytet deri në javën e parë të Vitit të Ri.