Arbëri

Nxënësit e “Mehmet Gjevorit” në Prishtinë mbajtën mësimin në të ftohtë

Nxënësit e shkollës “Mehmet Gjevori” në lagjen Arbëria, e kanë pasur mjaft të vështirë ditën e hënë, kur temperaturat kanë rënë në zero gradë.

Edhe pse shkolla është përuruar këtë vit, ajo nuk është e përshtatshme për mësim, raporton KTV.

Prindërit janë mjaft të shqetësuar për këtë gjendje dhe kanë paralajmëruar se do të marrin masa nëse nuk tejkalohet kjo situatë.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Valbona Kastrati, thotë se ngrohja nuk është siguruar, sepse siç i ka thënë komuna, janë vonuar procedurat e tenderimit.

Ajo premton se do të bëjë një zgjidhje të përkohshme, derisa të rregullohet problemi.

Ndërkaq, nga Drejtoria e arsimit në Prishtinë thonë se ngrohja e shkollës do të fillojë që nga dita e martë.

Sipas tyre, ekipet janë në terren vazhdimisht duke punuar në mënyrë që në të gjitha shkollat të evidentohet nëse ka probleme.

Punimet për ndërtimin e kësaj shkolle kishin nisur që nga viti 2010 dhe ishin ndërprerë për shkak të një kontesti pronësor. Shkolla u hap në shtator të vitit 2018.