Parkingu nëntokësor në kryeqytet nuk zgjidh tollovinë Foto: Ilustrim

Parkingu nëntokësor në kryeqytet nuk zgjidh tollovinë

11 November 2018 11:20

Ndërtimi i parkingut nëntokësor pritet të fillojë në fund të muajit dhjetor, ndërsa punimet janë paraparë të zgjasin një vit e gjysmë. Por komuna e Prishtinës krahas kësaj ende nuk e ka projektin se si do duket ky parking dhe sa do të kushtojë.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri për KosovaPress ka deklaruar se janë në fazën kualifikuese për përzgjedhjen e operatorit ekonomik që do investojë në këtë projekt.

Sipas tij, gjashtë konsorciume janë në garë për parkingun nëntokësor në Prishtinë.

Tutje ai tha se ky parking do ketë kapacitet për parkimin e 500 deri të 900 veturave, derisa në plan është që të ndërtohet edhe parku qendror mbi të.

“Aktualisht jemi në fazën e parë të këtij partneriteti publiko-privat që është faza e para-kualifikimit, ku kanë konkurruar rreth 6 konsorciume, dhe sapo të mbyllet kjo fazë shkojmë me fazën e propozim-projekteve nga ana e kompanive që kualifikohen në mënyrë që pastaj, përmes një tenderi të hapur, të zgjedhim kompaninë fituese që do ta realizojë atë projekt. Është e rëndësishme të theksohet se parkingu nëntokësor pritet t’i ketë 500 deri në 900 parkime si dhe do ta ketë parkun qendror të qytetit të ndërtuar mbi të“, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, ky parking i cili pritet të përfundojë brenda 18 muajve, do e lehtësojë shumë trafikun rrugor në kryeqytet.

“Punimet janë paraparë që të zgjasin rreth 18 muaj, pra një vit e gjysmë nga dita që fillon dhe me këtë dinamikë të këtij partneriteti publiko-privat ka mundësi që deri në fund të dhjetorit të këtij viti të kemi kontratën e nënshkruar në mënyrë që të mund të fillojnë punimet. Mund të jetë fundi i dhjetorit ose fillimi i janarit, varësisht a do ketë ankesa apo jo, për shkak se një ankesë mund ta vonojë disa javë një proces të tillë. Sigurisht që një parking në qendër të qytetit me 500 deri 900 vendparkime do e lehtësojnë goxha shumë qarkullimin në Prishtinë dhe kjo iu mundëson qytetarëve që të kenë qasje në këmbë në pjesë të ndryshme të qytetit”, u shpreh zëdhënësi i Prishtinës.

Por ndryshe mendon njohësi i çështjeve të trafikut rrugor, Muhamed Krasniqi, i cili thotë se ndërtimi i parkingut në qendër të qytetit do krijojë edhe më shumë vështirësi në trafik.

Sipas tij, fillimisht duhet të gjendet zgjidhje se si të orientohen automjetet drejt parkingut e më pastaj të ndërtohet ky parking, pasi nëse ndodhë e kundërta do krijohen kushte të pafavorshme për ngasësit e veturave.

“Unë mendoj se paraprakisht do duhej të krijoheshin parkingje në hyrje të qytetit dhe atje të lihen automjetet në mënyrë që qytetin ta kemi me numër më të vogël të automjeteve në brendi. Dhe ato parkingje në hyrje të qytetit, në rrugë të ndryshme që sjellin në qytet, të sinkronizohen me Trafikun Urban”, tha Krasniqi.

Edhe arkitekti Ilir Gjinolli beson se një mos-planifikim i duhur rreth ndërtimit të parkingut nëntokësor tek Fakulteti i Filologjisë, kryeqytetit mund t’i kushtojë me krijim të tollovive në trafik.

Gjinolli ka këshilluar Komunën që të jetë e kujdesshme për planin e këtij parkingu, pasi siç tha ai, një parking i tillë duhet të kontribuojë në jetën publike të kryeqytetasve.

“Projekti që mendohet të bëhet para Fakultetit Filozofik është një projekt që mund t’i kontribuojë parkimit, por mund të shkaktojë edhe pak më shumë ngarkesë në trafik. Për shembull, në pjesën periferike të qendrës së qytetit ose rrugës “Eqrem Qabej”, ose bulevardit “Bill Klinton”, do të ndikojë në rrjedhën e trafikut. Në anën tjetër, ndërtimi për dy ose tre vjet, varësisht sa mendohet, do të paraqes njëfarë problemi për hapësirën publike derisa ajo të ndërtohet”, theksoi Gjinolli.

Kurse, partia më e madhe opozitare në Kuvendin komunal të Prishtinës, LDK, ndërtimin e parkingut nëntokësor te Fakulteti i Filologjisë e ka konsideruar si projekt të dështuar, pasi që ende nuk dihet se sa do investojë komuna në këtë projekt publiko-privat.

Asambleistja nga radhët e LDK-së, Fiknete Bejta mendon se keqmenaxhimi është pika e dobët e qeverisjes së Shpend Ahmetit.

“E kemi vërejtur se pika e dobët apo kyçe që ka në keqmenaxhim kjo komunë është mos planifikimi i mirë, planifikimi i dobët. Kjo ka shtyrë që shumë projekte do të dështojnë edhe ky projekt i parkingut nëntokësor tek Filologjiku siç njihet tash, me idenë se do zgjerohet edhe kah Katedralja, mendoj se është menaxhim shumë i dobët sepse nuk po dihet paraprakisht kostoja e po hyjnë në investim. Ne e dimë se së pari bëhet planifikimi pastaj realizimi i projektit. Unë mendoj se do të dështoj nëse nuk korrigjohet ky problem”, u shpreh Bejta.

Ndonëse e konsiderojnë të nevojshme krijimin e sa më shumë parkingjeve në Prishtinë, banorët e kryeqytetit nuk po pajtohen me hapësirën se ku është përzgjedhur të ndërtohet parkingu nëntokës.

Mirsad Morina thotë se nuk është e nevojshme që një parking i tillë të jetë në mes të qytetit. Ai ka sugjeruar që një parking i tillë më mirë do ishte të bëhej në lagjen e Ulpianës.

Edhe Ekrem Marevci pajtohet se hapësira se ku është përzgjedhur të ndërtohet parkingu nëntokësor nuk është e duhur.

Ai madje thotë se e gjithë infrastruktura rrugore në kryeqytet është e paplanifikuar për shkak të mungesës së vizionit për këtë çështje nga ana e udhëheqësve të deritanishëm.

Mirëpo, ndërtimin e këtij parkingu në qendër të kryeqytetit e ka mirëpritur Ekrem Krasniqi, i cili tha se parkingjet në kryeqytet duhet të shtohen.

Ndryshe, komuna e Prishtinës për ndërtimin e parkingut nëntokësor ka ndarë një sipërfaqe prej 13.990 metra katrorë te Fakulteti i Filologjisë dhe parashihet të ndërtohet në 2 etazhe.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme