Arbëri

Edhe sonte mbi Prishtinë ajri i pashëndetshëm

Në mungesë të alternativave, shpesh si pasojë e kushteve ekonomike, qytetarët e Prishtinës zgjedhin mundësinë më të lirë për ngrohje e që është thëngjilli.

Kjo metodë e ngrohjes, si më e lira e mundshme, sjell më vete edhe të këqija të shumta, jo vetëm për shtëpitë a objektet tjera që e përdorin atë, por edhe për tërë qytetin, raporton Koha.net.

Dëshmi për këtë është edhe cilësia e ajrit që këtyre ditëve është përkeqësuar në masë të madhe.

Sipas matësve të cilësisë së ajrit të vendosur nga Ambasada Amerikane në kryeqytet, ajri në këtë kohë ka arritur koeficientin prej 191 PM dhe konsiderohet e pashëndetshme.

Masa të shumta ishin marrë në fillim të vitit për ajër më të mirë, por ato duket se nuk po zbatohen, raporton KTV.

Thëngjilli vazhdon të jetë ndër zgjidhjet më të shpeshta të banorëve për ngrohje. Çmimi më i ulët dhe djegia më e ngadalshme, kanë bërë që të qëndrojë ende në një treg tashmë ilegal.

Tregtarët kanë refuzuar të prononcohen para kamerës, ndërsa kanë thënë se arsyeja pse thëngjilli vazhdon të blihet është çmimi gati përgjysmë më i lirë në krahasim me drutë.

Çmimi i druve për zjarr varion nga 45 deri në 50 euro për metër.

Xhemajl Akllapi, banor i Prishtinës, thotë së sigurimi i ngrohjes për dimër është problem për të. Ai thotë se nuk ngrohet vetëm me thëngjill, por atë e përdor bashkë me dru.

Bedri Halimi, kryeinspektor në MMPH, thotë për KTV-në se shitja e thëngjillit është e ndaluar dhe se inspektorët komunalë të Prishtinës dhe të komunave tjera janë ata që duhet të bëjnë që ky vendim të respektohet.