Arbëri

Në Prishtinë për 5 vjet u ndërtua vetëm një shkollë, Komuna synon t’i nisë 4 përnjëherë

Pas një periudhe 5-vjeçare me vetëm një shkollë të re të përfunduar, Komuna e Prishtinës synon t’i ndërtojë katër shkolla të reja përnjëherë.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, bashkë me përfaqësues të Korporatës Financiare Ndërkombëtare të Bankës Botërore, kanë prezantuar projektin që do të realizohet me partneritet publiko-privat, raporton 038 në KTV.

Megjithëse kjo formë ka rezultuar e suksesshme te çerdhet me bazë në komunitet, njohës të fushës së arsimit janë skeptikë për shkollat – për shkak të, siç thonë, komplikueshmërisë në menaxhim dhe ndarjen e përgjegjësive.

Kjo formë e ndërtimit të shkollave, sipas Rinor Qehajës nga Instituti EdGuard, është premtuar tash e pesë vjet.

Ai vlerëson se për shkak të mungesës së përkushtimit, Komuna e Prishtinës ka dështuar të ndërtojë shkolla të reja, përkundër se ka pasur fonde të mjaftueshme në duar.

Ndryshe, me projektin e prezantuar të martën, Komuna e Prishtinës synon të bëjë me shkolla të reja lagjet: Mati, Sofalia, Prishtina e Re dhe Arbëria 3.

Sipas konceptit të prezantuar, shkollat në Arbëri dhe në Prishtinën e Re, do të jenë më të mëdha – me kapacitet për 1080 nxënës, ndërsa deri në 720 nxënës parashihet t’i përballojnë ato në Sofali dhe Mat.