Është panairi i parë i Prishtinës, dhe ata që shesin janë kryesisht banorë të kryeqytetit.
Të gjitha produktet këtu janë kultivuar në rajonin e Prishtinës dhe interesimi për t’i blerë ato në sheshin “Zahir Pajaziti” është i madh.
Produkte pa sheqer e pa konservues po kërkojnë blerësit e qytetit dhe për tregtarët kjo do të thotë më shumë cilësi, raporton “038” në KTV.
Mjalti mbetet produkti që tërheq vëmendjen, sidomos kur garantohet se nuk është e përzier.
Pa sheqer po kërkohet edhe xhemi me kumbulla.
Vetë udhëheqësit komunalë thonë se në vjeshtë qytetarët e Prishtinës nuk kanë nevojë të blejnë produkte importi, pasi që prodhimi është i madh si për konsum të brendshëm, ashtu edhe për eksport.
Vëmendjen e blerësve po e tërheq edhe aronia si antioksidues e forcues imuniteti. Ajo në panairin e Prishtinës, është e para organike.
Por, derisa shitja e produkteve është një ndihmesë, shitësit thonë se duan edhe më shumë subvencione.
Komuna e Prishtinës, ndërkohë, këtë vit kishte vetëm 400 mijë euro për mbështetje të fermerëve, por nga sektori i bujqësisë thonë se vlera do të rritet vitin që vjen.
Panairi i Prishtinës, “N’fermë” do të jetë i hapur edhe sot (e shtunë). Këtë muaj komunarët janë duke organizuar edhe panairin “Blej shqip”, që tashmë është tradicional për Festën e Flamurit më 28 nëntor.