Kuvendi Komunal i Prishtinës, në mbledhjen e nesërme, që është edhe e 10-ta me radhë, në rend dite do të kenë për diskutim propozim-vendimin për emërtimin e një rruge në Kodrën e Trimave me emrin“Shkollat e Herticëve”.
Fiknete Bejta, asambliste e KK të Prishtinës nga radhët e LDK-së, thotë se familja Hertica, shtëpinë e vet në kohën e mbijetesës e shndërroi në tempull të rezistencës, duke shënuar një moment historik të mbrojtjes së arsimit shqip.
“Është ky akt madhor i familjes Hertica, vendosja që hapësirat e veta familjare dhe tërë familjen ta vënë në përkushtim të mbrojtjes së shkollave. Por siç e kam potencuar edhe në rastet e tjera, respekti nuk është i plotë nëse nuk ju jepet nderimi i merituar edhe familjeve tjera në Prishtinë e gjetiu në Kosovë të cilat sikurse kjo familje kanë dhënë objektet e tyre në shfrytëzim për shkollat dhe institucionet e qeverisë së atëhershme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Bejta në një postim në Facebook, raporton Koha.net.
Asamblistja e LDK-së thotë se Komuna e Prishtinës, së paku në mënyrë simbolike, në Muzeun e Qytetit, duhet t’i listojë emrat e të gjithë atyre që kontribuuan në këtë drejtim.