Investime në lumin Mirusha e në ujëvarë ka premtuar Alban Krasniqi, kandidati i LVV-së për kryetar në Komunën e Malishevës. Krasniqi së bashku me disa nga kandidatët për Asamble komunale kanë vizituar lumin Mirusha dhe një biznes në këtë pjesë, ku edhe kanë premtuar përmirësim të kushteve elementare për jetesë
Kandidatët për Asamble komunale nga Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë janë të parët që arrijnë në një biznes në Mirushë. Ata së bashku me pronarin e kompanisë, që merret kryesisht me përpunimin e letrës, po e presin edhe kandidatin për kryetar të kësaj komune, Alban Krasniqi.
Me të hyrë brenda, pronari i saj, Hashim Thaçi, kujdeset që kandidatit për kryetar të Malishevës t’i tregojë në detaje për punën që bën, duke mos i lërë as problemet me të cilat përballen. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike ishin problemi që më së shumti po përballej pronari i biznesit, e që, sipas tij, shkaku i makinerive të shumta që kanë nuk po mund të punojnë me gjeneratorë.
“Nuk ia vlen me punu këtu me gjeneratorë”, thoshte Thaçi, teksa ia shpjegonte të gjitha procedurat e një përpunimi të letrës, e të cilat i transportojnë jashtë Kosovës.
Me të përfunduar vizitën, Krasniqi tregon zotimet e tij që ka për bizneset e kësaj ane.
“Ajo çka jemi duke këqyr me ba është e para që së paku me siguru që e ofrojmë infrastrukturën bazë, që ju duhet, duke filluar prej rrymës”, ka thënë Krasniqi.
Destinacioni i radhës për kandidatin e LVV-së për Malishevën ishte lumi Mirusha, ku edhe tregon për planet e tij dhe investimet që i parasheh aty. Por, duke shkuar te ky lum, Krasniqi u takua rastësisht me disa barinj që ishin duke u kujdesur për disa dele. Ai për disa minuta bisedoi me ta për të vazhduar më pas rrugën te lumi i Mirushës. Por rruga që të çonte te një digë e këtij lumi nuk ishte edhe aq e mirë, saqë disa kandidatëve për asamblistë u shkaktonte probleme për shkak të këpucëve që kishin veshur.
E pikërisht për lumin e Mirushës, e për ujëvarën në këtë pjesë, Krasniqi thotë se parashohin investime të mëdha, për shkak edhe të vizitorëve që ka kjo pjesë.
“Do të bëjmë një studim të fizibilitetit dhe analizë të thellë mbi këtë konstruksion, i cili është ndërtuar diku në vitet 2009 e 2010, pa leje, pa plan dhe pa leje mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ta shohim se cilat janë funksionet e kësaj dige dhe për çka do të mund ta përdorim”, është shprehur Krasniqi.
Ai tutje për banorët e Malishevës ka premtuar edhe funksionalizimin e një korrektori për ujërat e zeza që, sipas tij, derdhen në lumin e këtij fshati dhe shkakton ndotje të madhe.
Tutje ka treguar se programi i tij përmban 14 pika për Komunën e Malishevës.
“Ngritjen e cilësisë në arsim, ofrimin e kushteve si brenda ambienteve të shkollës e edhe jashtë tyre, në anën tjetër kemi nevojë të jashtëzakonshme për çerdhe, ne do të ndërtojmë deri në 3 çerdhe”, ka shtuar ai, duke thënë se fokus të veçantë do të kenë edhe shëndetësia, bujqësia e të gjithë sektorët nga të cilët preken qytetarët e Malishevës.
Edhe kandidatët e tjerë për kryetarë të komunave nga kjo parti kanë vazhduar fushatën duke takuar qytetarë. Mytaher Haskuka, i cili synon edhe një mandat në Prizren, ka thënë se Prizreni është kampion i reformave në shëndetësinë primare.