Lokalet 2021

Në Rahovec, LDK-ja është pajtuar me rolin e opozitës, PDK-ja ende e pa vendosur

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si parti e parë, dhe Lëvizja Vetëvendosje si parti e dytë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Rahovec nuk kanë arritur ende ndonjë marrëveshje për koalicion me ndonjërin nga subjektet politike që e kanë humbur garën në raundin e parë.

Lidhja Demokratike e Kosovës si parti e tretë madje as që ka shprehur interesim për ndonjë marrëveshje.

Burim Krasniqi, që ishte kandidat i LDK-së për kryetar të Rahovecit, ka thënë të mërkurën për KOHËN se ai dhe partia e tij nuk e konsiderojnë të denjë mundësimin e ardhjes në pushtet për ndonjë parti tjetër.

"Ne asnjëherë dhe në asnjë formë nuk do të jemi parti sa për t'i bërë numër dikujt", ka thënë Krasniqi për KOHËN. "Ky është qëndrim i kahershëm i yni. Ne do të punojmë fort që LDK-ja me qenë parti e parë në Rahovec”.

LDK-ja në zgjedhjet e 17 tetorit ka fituar 3.326 vota, apo 15.83 për qind, duke u renditur e treta.

Ndërkohë PDK-ja është renditur e katërta në zgjedhjet e së dielës, me 2.386 vota, apo 11.36 për qind.

PDK-ja nuk është përcaktuar se cilën parti do ta përkrahë në balotazh.

Bejtullah Deliu, që ishte kandidat i PDK-së për kryetar të Rahovecit, e ka pohuar këtë për KOHËN.

"Për momentin nuk kemi ndonjë vendim", ka thënë Deliu. "Ditëve në vijim do të dalim me një qëndrim, së bashku me kryesinë e degës".

Në Rahovec në balotazh kanë shkuar kandidati për kryetar komune nga radhët e AAK-së, kryetari aktual, Smajl Latifi i cili në raundin e parë ka fituar 9 mijë e 925 vota, apo 47.23 për qind dhe Visar Korenica i Vetëvendosjes me 5 mijë e 206 vota apo 24.78 për qind të votave të elektoratit të kësaj komune.