Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Memli Krasniqi bën thirrje që të votohet PDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, përmes një videoadresimi ka ftuar të gjithë qytetarët që ta votojnë partinë e tij. Krasniqi tha se kandidatët e PDK-së për kryetarë komunash janë të duhurit për t’u dalë në krye kërkesave të qytetarëve

Në ditën e fundit të fushatës për këto zgjedhje lokale, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u ka bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë partinë e tij. Përmes një videoadresimi, Krasniqi ka thënë se është e rëndësishme të votohet PDK-ja, sepse, sipas tij, kandidatët e saj kanë dashuri të pashtershme për komunat e tyre.

“Të dielën, e ardhmja na bën bashkë për fushatën, na bën bashkë një vendim i rëndësishëm për t’i mbajtur e rikthyer qeverisjet e mira në mbarë vendin me vizion, guxim e ndershmëri. Kjo e ardhme për të gjithë qytetarët pa dallim ndërtohet me Partinë Demokratike të Kosovës si e vetmja forcë që ka energjinë dhe kompetencën për të zhvilluar çdo komunë me investime e projekte të mëdha”, ka deklaruar kryetari i PDK-së.

Krasniqi ka shtuar se kandidatët e PDK-së duhet të votohen pasi që kanë edhe bagazh të madh patriotik.

“Ne kemi kandidatët më të mirë në garë, në PDK- ne jemi shumë krenarë për ta, janë të duhurit për t’u dalë në krye kërkesave të qytetarëve dhe adresa e qeverisjes së mirë, profesionistë dhe të ndershëm, ndërsa përfaqësojnë kulturë të lartë qytetare, bagazh të madh patriotik dhe kanë një dashuri të pashtershme për komunat e tyre”, ka thënë ai.

Të premten, në një konferencë për media, Uran Ismaili ka prezantuar 100 vendimet e para që do t’i marrë nëse zgjidhet si kryetar i Prishtinës. Ai ka thënë se me të si kryetar qyteti do të jetë më i pastër e më i sigurt.

“Qëkur kam filluar rrugëtimin tim për Prishtinën kam thënë një gjë: ne nuk do të ankohemi, por do të shohim përpara që Prishtina të bëhet qytet që konkurron me të ardhmen. Qytetarët e Prishtinës janë lodhë nga ankesat dhe arsyetimet, qeverisja ime do të jetë një qeverisje dinamike që nuk shikon pas, por orientohet nga e ardhmja e qytetit”, ka deklaruar Ismaili.

Infrastrukturë, pajisje mjekësore e shërbime mjekësore në sektorin e shëndetësisë, ka premtuar për mandatin e ardhshëm Naim Ismaili në Shtime, i cili pretendon ta fitojë edhe një mandat tjetër në Komunën e Shtimes.

“Në mandatin që po hyjmë angazhimet tona do të jenë në drejtim të asaj që të përmirësojmë edhe më tutje shërbimet karshi pacientëve dhe këtë e garanton një staf i mrekullueshëm, i cili gjatë gjithë kohës së pandemisë ka qenë në krye të detyrës”, ka thënë ai.

Kurse në Prizren, Shaqir Totaj, ka premtuar ridizajnimin e trafikut urban, i cili, sipas tij, do ta rregullojë trafikun urban.

“Përmes planit për ridizajnimin e trafikut urban do të bëjmë zgjidhje për rrugët në qytet, si dhe do ta rrisim kapacitetin e trafikut urban dhe do të përmirësojmë cilësinë e shërbimeve”, ka deklaruar Totaj.

Fadil Nura, në Skenderaj, është zotuar se do të ketë investime në fshatin Runik të Komunës së Skenderajt.

“Ne kemi hartuar planin e veçantë për Runikun, një nga vendbanimet më të hershme në rajon ku pasqyrohet një qytetërim i zhvilluar shumë shekuj më parë. Lokalitet arkeologjik me pasuri të shumta kulturore e trashëgimi unike”, ka thënë Nura.

Derisa, kandidatët e tjerë kanë vazhduar me thirrje për qytetarët që të votohet Partia Demokratike e Kosovës.