3 perditesime
20:56

Vitia premton ndërtimin e Spitalit të qytetit për katër vjet

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga VV, Arben Vitia, ka thënë se do të kërkojnë që të rritet numri i personelit shëndetësor, nëse fiton garën.

Në Zgjedhjet në KOHË – Debati për Prishtinën, Vitia ka folur për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Premtoi se do të bëhet që me mandatin e parë.

“Çështja e Spitalit të Prishtinës është zvarritur pa nevojë gjithë këto kohë. Nuk ka pasur diskutime e bashkëpunime të institucioneve. Duhet të bëhet gjatë mandatit por vendimet që unë do i marr nuk do jenë arbitrare. Ky është vendim që duhet të jetë në bashkëpunim me MSH dhe QKUK ashtu që spitali duhet të jetë komplementar me QKUK. Spitalet janë të mbingarkuara dhe qytetarët presin në radhë, ato do jenë shërbime prioritare në spitalin e Prishtinës. Ka shërbime brenda QKUK ku nuk ka tollovi dhe mund të vazhdojnë të marrin shërbime aty”, tha ai.

Vitia shtoi se duhet plotësuar edhe disa kushte që të nis spitali i qytetit në një vend të caktuar.

“Secili vendim që do merret në komunën e Prishtinës do merret me shumë diskutime me hisedarë, edhe për vendin sepse vendet që janë propozuar më herët, duhet edhe disa kushte paraprake për t’iu ofruar qasje sa më të shpejtë ekipeve shëndetësore dhe qytetarëve. Bashkë me QKUK dhe faktorë të tjerë do gjejmë në bazë të perimetrave vendin më adekuat për të ndërtuar spitalin”, tha ai.

20:24

Vitia zotohet të ndajë 500 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë se komuna e Prishtinës gjatë mandatit të tij qeverisëse, do të ndajë 500,000 euro për trajtimin e qenve endacakë.

Vitia ka thënë mënyra se si do të merren me qentë endacak në mandatin e tij nëse ai fiton në zgjedhjet e 17 tetorit, do të jetë sipas sitemit “Kap, sterilizo, vaksino dhe lësho”.

“Komuna e Prishtinë do të ndajë 500,000 euro për trajtimin e qenve endacakë që qytetarët të kenë siguri gjatë ecjes. Qentë endacak që sterilizohen janë më pak agresiv, e në anën tjetër duke u vaksinuar janë më të sigurt për qytetarët dhe jetëgjatësia e qenve të rrugës është më e vogël se e qenve shtëpiak. Në vende ku ka grumbullime të mëdha të qeve, ne kemi menduar që në bashkëpunim me shoqata të ndryshme të ndërtojmë strehimore”, ka thënë Vitia.

Ai ka përmendur edhe bashkëpunimin me nivelin qendror dhe agjencionet e pavarura në këtë drejtim, duke thënë se do të jetë i hapur në këtë aspekt.

Vitia ka premtuar hapjen e tetë tregjeve të reja nëpër lagjet e Prishtinës, të cilat sipas tij, do të shisnin produkte nga bujqit edhe nga rajoni i Llapit dhe Gollakut. Plan ai tha se ka edhe për çerdhe.

“Në planin tonë përveç dyfishimit të çerdheve, kemi që secili fshat që ka 100 e më shumë fëmijë 0-6 vjeçare do ta ketë çerdhen e vet”.

20:19

Vitia: Në fokusin tonë do të jetë qytetari, e jo betoni

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, ka thënë se në fokusin e qeverisjes së tij në kryeqytet do të jetë qytetari, e jo betoni, duke u përgjigjur në pyetjen për planin e tij rreth shtyllave anti-parking të vendosura nga kryetari aktual Shpend Ahmeti.

Vitia tutje deklaroi se do t’ia mundësojnë qytetarëve ecje sa më të lirshme në trotuare, duke premtuar 900 mijë euro për hapësira shtesë të këmbësorëve dhe 1 milion euro për rregullim të trotuareve.

“Në fokusin tonë do të jetë qytetari, e jo makina. Do të jetë personi, e jo betoni. Duhet t’ia mundësojmë që qytetari të ecë lirshëm. Do të investojmë 900 mijë euro shtesë vetëm për hapësira shtesë të këmbësorëve. 1 milion euro për rregullimin e trotuareve. Parkingjet duhet të rregullohen sepse duhen larguar makinat nga trotuaret, kjo për t’i mundësuar ecjen e lirshme qytetarëve. Ecja nënkupton edhe shëndet, jo vetëm për të ecur nga një pikë në pikë tjetrën. Do t’ia mundësojmë qytetarëve ecje sa më të lirë, duke investuar në trotuare, në mbjelljen e pishave, do të ketë shtigje atraktive. Nuk do të ketë rrugë pa u ndriçuar”, ka thënë Vitia në KTV.

20:13

Vitia premton lidhje të lagjeve me platforma mbikaluese, që u ngjajnë shesheve

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka premtuar se po që se fiton në zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe bëhet kryetar i kryeqytetit, do të lidhë lagjet e qytetit me platforma mbikaluese, por që do t’u ngjajnë shesheve.

Këso platforma ai ka premtuar për lidhjen e lagjes “Kalabria” me “Dardaninë” dhe “Arbërinë” me Qendrën.

Për këto ka thënë se do të investohen 12 milionë euro.

Në shpalosjen e programit të tij në KTV, Vitia ka thënë se do të investohen tetë milionë euro për rinovim të Pallatit të Rinisë. Ka thënë se këtë do ta bëjë sapo ta marrë mandatin.

“Ka shumë lagje ku kanë munguar investimet dhe dora e Komunës. Lagje me trajtim jo të barabartë. Qyteti duhet të jetë i decentralizuar, policentrik, lagjja “Kalabria” në raport me “Dardaninë” i ndan vetëm një rrugë. Janë aq afër, po aq larg. “Arbëria” me qendrën duke nisur nga Lakërishtja e Tophanja ka probleme të kyçjes. Këtë kemi menduar që me platforma mbikaluese e multifunksionale, ku qytetarët do të kalojnë natyrshëm me aktivitete ekonomike e rekreative, të ndërlidhen lagja me lagjen natyrshëm. Mbi 12 mijë metra katrorë në këto platforma, që do të investohen rreth 12 milionë euro. Platforma që ngjajnë me sheshe, sesa mbikalime të investuara më herët. Vetëm me këso platforma, me aktivitet ekonomik e rekreativ do të lidhej shumë natyrshëm bashkëveprimi i qytetarëve”, ka thënë ai.