Lokalet 2021

Vitia premton lidhje të lagjeve me platforma mbikaluese, që u ngjajnë shesheve

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka premtuar se po që se fiton në zgjedhjet lokale të 17 tetorit dhe bëhet kryetar i kryeqytetit, do të lidhë lagjet e qytetit me platforma mbikaluese, por që do t’u ngjajnë shesheve.

Këso platforma ai ka premtuar për lidhjen e lagjes “Kalabria” me “Dardaninë” dhe “Arbërinë” me Qendrën.

Për këto ka thënë se do të investohen 12 milionë euro.

Në shpalosjen e programit të tij në KTV, Vitia ka thënë se do të investohen tetë milionë euro për rinovim të Pallatit të Rinisë. Ka thënë se këtë do ta bëjë sapo ta marrë mandatin.

“Ka shumë lagje ku kanë munguar investimet dhe dora e Komunës. Lagje me trajtim jo të barabartë. Qyteti duhet të jetë i decentralizuar, policentrik, lagjja “Kalabria” në raport me “Dardaninë” i ndan vetëm një rrugë. Janë aq afër, po aq larg. “Arbëria” me qendrën duke nisur nga Lakërishtja e Tophanja ka probleme të kyçjes. Këtë kemi menduar që me platforma mbikaluese e multifunksionale, ku qytetarët do të kalojnë natyrshëm me aktivitete ekonomike e rekreative, të ndërlidhen lagja me lagjen natyrshëm. Mbi 12 mijë metra katrorë në këto platforma, që do të investohen rreth 12 milionë euro. Platforma që ngjajnë me sheshe, sesa mbikalime të investuara më herët. Vetëm me këso platforma, me aktivitet ekonomik e rekreativ do të lidhej shumë natyrshëm bashkëveprimi i qytetarëve”, ka thënë ai.