Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore / Stadiume të reja e mbështetje për sportistët e dalluar premtojnë kandidatët e LDK-së

Mbështetje për komunitetet, sidomos për moshat e reja, ka premtuar kandidati për kryetar të Prizrenit, Anton Quni. Në Ferizaj e Lipjan kandidatët kanë premtuar ndërtim të stadiumeve, derisa në Deçan të mërkurën u premtuan investime në infrastrukturë

Linjë të veçantë buxhetore për edukimin dhe socializimin e fëmijëve nga komunitetet ka premtuar kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Anton Quni. Këtë zotim Quni e ka dhënë pas një vizite në qendrën e risocializimit të fëmijëve romë, ashkalinj dhe egjiptianë. Ai tha se këto komunitete ballafaqohen me shumë probleme, ndër to edhe mungesa e edukimit dhe arsimimit. Ai premtoi që nën udhëheqjen e tij nuk do të mungojë përkrahja për komunitetet sidomos për fëmijët e të rinjtë.

“Të jeni të bindur se do t'ju trajtojmë me prioritet. Për të gjitha ato vështirësi që i paraqitët do të angazhohemi të gjejmë zgjidhje të mira dhe pse jo edhe një linjë buxhetore të veçantë për angazhimet tuaja”, ka thënë Quni.

Në Prishtinë kandidati Përparim Rama ka premtuar ndërtimin e disa shkollave e kthimin në muze të spitalit “Nënë Tereza”.

“Sot bashkë me ekipin tim vizituam spitalin “Nënë Tereza”. Ky spital funksionon prej vitesh dhe me bindje të plotë e them që është një spital historik. Spitali “Nënë Tereza” ka qenë funksional edhe në kohë të vështira. Ai duhet të kthehet në një muze, sepse është një vlerë e historisë sonë”, ka thënë Rama.

Kandidatja Sibel Halimi në Ferizaj ka premtuar ndërtimin e stadiumit të qytetit me kapacitet prej 20 mijë ulësesh me hapësirë për atletikë e rekreacion. Ajo ka thënë se në Ferizaj aktivitetet sportive zhvillohen në një hapësirë të improvizuar, e cila nuk ka vend për më shumë se 500 shikues dhe, siç thotë ajo, si pasojë e mungesës së kushteve dhe keqmenaxhimit, klubi i futbollit të Ferizajt tash e një kohë ndodhet në rangun e dytë.

“Gjithë kjo energji dhe përkushtim i djemve dhe vajzave e meritojnë një stadium më të mirë. Ferizaj, një prej vendeve më të zhvilluara në Kosovë, e meriton një stadium të dinjitetshëm”, ka thënë Halimi.

E stadiumin e qytetit në Lipjan të mërkurën e ka përuruar kreu dhe kandidati për këtë Komunë, Imri Ahmeti, i cili ka thënë se shumë shpejt do të bëhet gati edhe stadiumi i Dobrajës së Madhe dhe Magurës.

Hyri Dobrunaj, kandidatja për kryetare të Deçanit, ka thënë se rinia dhe gratë e kësaj komune do ta kenë derën e hapur dhe se do ta ndiejnë dorën e qeverisjes së mirë. Ajo ka dhënë edhe disa premtime për infrastrukturën në këtë komunë.

“Qëllimi ynë është që ta transformojmë tërësisht pamjen e qytetit dhe fshatrave. Në fund të këtij mandati do të ndriçohen në tërësi rrugët e lagjeve dhe fshatrave të Deçanit, si dhe do të kemi rrugë, rrugica dhe trotuare të përfunduara”, ka deklaruar Dobrunaj.

Në Rahovec kandidati Burim Krasniqi ka thënë se një nga atraksionet turistike që do ta gëzojë vëmendjen e tij është krijimi i disa zonave të caktuara për bujtina e restorante, ku do të shërbehet vetëm vera rahoveciane.

“Në kuadër të programit për vitet 2022-2025, kam paraparë edhe disa projekte specifike, si rikthimin e qendrës së vjetër të qytetit, zonën industriale, krijimin e një zone të caktuar për bujtina e restorante, ku do të shërbehet vetëm vera rahoveciane si dhe funksionalizimin e transportit publik urban dhe atij lokal”, ka thënë Krasniqi.

Ilir Ferati në Istog ka thënë se qeverisja e tij do jetë mbështetësja më e madhe e sportit duke dhënë disa zotime specifike.

“Do të rrisim buxhetin për sport me 100%, do të mbështesim me shpërblime të gjithë sportistët e dalluar për rezultatet e tyre në garat ndërkombëtare e vendore, do të organizojmë kampe verore për sportistët e Istogut, çdo shkollë do të ketë palestër sportive me të gjitha rekuizitat e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive”, është zotuar ai, derisa të hënën ka prezantuar edhe se si do të duken projektet e tij për parkun rekreativ në Banjë, për çerdhen në Gurrakoc e për tregun e gjelbër në qendër të Istogut.

Në Vushtrri kandidati dhe kreu aktual, Xhafer Tahiri, ka përuruar palestrën sportive e çerdhen për fëmijë, për çka është zotuar se në mandatin e ardhshëm do të ndërtojë dy palestra të tjera, 2 çerdhe në qytet e 5 të tjera në fshatrat e Vushtrrisë.