Lokalet 2021

Kandidati i pavarur për Prizrenin: Qytetarët do të njoftohen për çdo cent të shpenzuar

Milazim Lushaj, kandidat i pavarur për kryetar të Prizrenit ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës, qytetarët e Prizrenit do të njoftohen me çdo konkurs publik dhe për çdo cent të shpenzuar gjatë qeverisjes.

Lushaj ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se për të arritur këtë, ai do të vendosë tabela informuese në katër lokacione të ndryshme të Prizrenit.

“Do të angazhohem në katër lokacione të Prizrenit që të ketë tabela të njoftimit të cilat do t’i shërbejnë qytetarët që të informohen qoftë për konkurset publike qoftë për shpenzimet komunale, ngase secili qytetar duhet ta dijë saktë mundësinë e aplikimit, të jetë i barabartë para ligjit dhe të jetë i mirinformuar për secilin cent që shpenzohet gjatë një periudhe katër vjeçare të qeverisjes”, ka thënë Lushaj.

Ai ka thënë se arsimi në Prizren është politizuar edhe më shumë gjatë mandatit të kryetarit aktual, Mytaher Haskuka.

“Edhe pse me mosprezencë të kryetarit aktual, kam pritur që me ardhjen e tij në Prizren të hartojë së paku kriteret të rekrutimit të personelit në mënyrë që kjo tema e politizimit të hiqet nga rendi i ditë. Qytetarët e Prizrenit e dinë fare mirë se si rekrutohet personeli udhëheqës i shkollave. Kriteri i seleksionimit duhet të përfillet deri në fund. Nuk ka bashkëpunim aty ku shkelet me kriteret”, ka thënë Lushaj.

Teksa ka folur për shëndetësinë, Lushaj ka deklaruar se duhet të hartohen kartelat digjitale për secilin pacient në Prizren. Sipas tij, Prizreni nuk duhet të rrëfejë diagnozën e dhënë nga vetë mjeku, sa herë që shkon për kontroll te ai.

Ndërkaq, sa i përket investimeve kapitale, ai ka thënë se shumica e tyre nuk korrespondojnë me nevojat e komunitetit.