Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Haradinaj flet për investime të huaja në Klinë

Descriptive Text

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se me Zenun Elezajn kryetar do të ketë zhvillim të Komunës së Klinës. E takime me banorë ka zhvilluar edhe vëllai i Ramushit, kandidati për Prishtinën, Daut Haradinaj, i cili atyre u ka premtuar siguri në kuadër të ligjit për kryeqytetin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon ditën e dytë të fushatës me prezencë fizike. Kryetari i kësaj partie gjatë qëndrimit në Klinë ka kërkuar votën për kandidatin e tyre për këtë qytet, Zenun Elezaj. Haradinaj u premtoi qytetarëve se me Elezajn kryetar do të ketë zhvillim.

“Aktualisht është shumë me rëndësi thithja e investimeve të huaja, pra duhet të bashkëpunojmë të gjitha hallkat e institucioneve tona që të kemi investime”, ka thënë ai.

E takimet e tij me banorët e lagjeve të Prishtinës i ka vazhduar edhe kandidati për Prishtinën, Daut Haradinaj.

Ai banorëve të lagjeve Parku i Qytetit, Rruga e Bledit, Velanisë dhe Taslixhes u ka premtuar siguri sipas Ligjit të kryeqytetit.

“Nuk kemi qare pa fol për zbatimin e Ligjit për kryeqytetin, sepse brenda këtij ligji parashihet policia e kryeqytetit që e krijon sigurinë në kryeqytet pasi që e kemi një problem shumë serioz, e pashë gjatë bisedës me disa psikologë e ekspertë, thanë se mosha mesatare e përdorimit të narkotikëve nëpër shkolla është 12 vjet…”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kandidati për Podujevën, Besnik Tahiri, ka bërë një takim virtual me Mark Gjonajn, kryetar i Këshillit Koordinues për Diasporën Shqiptare. Tahiri nga atje kërkoi mbështetje për zhvillimin e Podujevës.

“Podujeva si komunë, e cila është ndërkufitare ka nevojë më shumë se kurrë për dorën e mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në Amerikë, veçanërisht në New York, sepse të them të drejtën ka pasur një ngecje në zhvillim”, ka thënë Tahiri.

Premtime për përmirësim të jetës në komunitet ka marrë edhe fshati Dujakë nga kandidati për Gjakovën, Ardian Gjini.

“Çfarë është jeta në komunitet? Është nëse i kemi shti 5 milionë euro rrugë vjet, se 70 mijë euro një kilometër rrugë na kushtojke mesatarisht. Vitet që vijnë, ato 5 milionë euro kanë m’u përdor për jetën në komunitet, trotuare, parqe, kanale të ujitjes, fusha të sportit…”, ka thënë ai.

Me premtime për zhvillim fushatën e kanë vazhduar edhe kandidatët e tjerë të kësaj partie.