Lokalet 2021

Vonesa në ndërtimin e rrugëve në lagjen “Kodra e Trimave” në Prizren

Descriptive Text

Jehona Gjinovci

Për të dalë në qytet, banorët e kësaj lagjeje duhet të kalojnë nëpër rrugët të cilët janë të mbushura me pluhur.

Sipas tyre, një vit më parë në dy rrugët kryesore të lagjes “Kodra e Trimave” kanë filluar punimet për asfaltim.

Këto dy rrugë, të cilat më parë ishin të shtruara me kalldrëm, tani po paraqesin vështirësi për banorët të cilët po ankohen për vonesa të punimeve.

Përveç kësaj, ata kanë ankesa në fillimin e punimeve në të dy rrugët njëkohësisht.

“Rrugët na i kanë prishur, këto rrugë kanë qenë me kontributin tonë me kubëza me të gjitha. Punimet janë shumë keq. Neve na janë ndaluar dy rrugët, nuk kemi kah të dalim në qytet, veturat janë dëmtuar, pluhuri na mbyti”, thotë një qytetar.

“Është bërë me vetëkontribut para luftës. Është një projekt. Pse të mos niset kjo dhe pasi të përfundojë kjo të niset tjetra, por janë nisur njëkohësisht. Kjo është një keqmenaxhim, nuk po dua të tingëllojë si politikë kjo situatë, por është keqmenaxhim. Me i mbyll 5-6 rrugë dhe të mos munden të kalojnë në asnjërën anë, sidomos gjatë verës kur janë edhe bashkatdhetarët këtu. Më lart mund t’i vëreni edhe disa vetura që janë të mbushura me pluhur si me qenë në Kandahar”.

Ankesat, sipas tyre, janë se punimet po fillohen në kohën kur fillon sezoni dimëror. Ata paralajmërojnë edhe protesta në rast se nuk përshpejtohet dinamika e punës.

“Ne deri më tani e kemi pasur durimin më të madh që nuk e kemi pasur ndonjëherë. Por që nuk marrin masa dikush si gjithmonë, kjo lagje që ka qenë e organizuar, jemi duke u organizuar dhe në atë moment që bëjmë ne protestë, do të jetë shumë keq si për Komunën, si për kompaninë apo këdo që ka të bëjë me këtë rrugë. Nuk shkon më, na ka ardhur këtu. Durimi na ka humbur dhe ne dimë t’i mbrojmë rrugët tona siç i kemi mbrojtur edhe përpara. Nuk është në rregull që të na bllokojnë. Shumë shpejt ka me ardhë dita kur do të dridhen shumë mirë”, thotë një qytetar.

Ndryshe, teleferiku nga qendra e qytetit deri në kala ishte një projekt i premtuar, i cili nuk ka arritur të realizohet deri më tani.

Ndërsa papunësia është një problem i madh edhe në këtë qytet.

Sipas Institutit GAP, në muajin shkurt të këtij viti në Prizren janë evidentuar mbi 8 mijë punëkërkues.