Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja akuzon Arben Vitinë se ia vodhi programin Përparim Ramës

Shtabi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, e ka akuzuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, për vjedhje të programit. Nga LDK-ja kanë thënë se në tri raste Vitia e ka prezantuar pothuajse të njëjtë dhe si të vetin programin e Ramës, gjë për të cilën kanë thënë se përveç që është joetike është edhe e dënueshme me ligj

Prishtinë, 11 tetor – Publikimi i plotë i programit qeverisës të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Arben Vitia, ka ngjallur reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Shtabi Zgjedhor i LDK-së në Prishtinë, nëpërmjet një konference për media, e ka akuzuar kandidatin e LVV-së, Arben Vitia, se ia ka vjedhur programin qeverisës kandidatit të tyre, Përparim Ramës. Alban Zogaj, shef i kampanjës së LDK-së për kryeqytetin, ka thënë se kanë bërë edhe krahasime të tjera me kundërkandidatët e tjerë të Ramës, porse rasti me kandidatin e LVV-së është shqetësues dhe i paprecedentë. “Ajo çka kemi parë mbrëmë në botimin e programit të z. Vitia është plagjiat i projekteve të Përparim Ramës dhe vjedhje e të drejtës së autorit, dhe siç e dini, kjo përveç që është joetike është edhe e dënueshme me ligj”, ka thënë Zogaj, derisa nuk ka treguar qartë nëse do të marrin masa konkrete ndaj veprimeve të Vitisë për të cilat ata pretendojnë se janë në kundërshtim me ligjin.

Zogaj ka thënë se Vitia i ka prezantuar si projekte të tijat, projektet unike të Ramës, siç janë lidhja e lagjeve me Qendrën, ndërtimi i 6 parkingjeve e ridefinimi i qendrës. “Në përpikëri dhe në formë të njëjtë janë paraqitur edhe parkingjet në programin e z. Arben Vitia. Pra, parashihet një parking te rrethi i flamurit, një parking te Stacioni i Autobusëve, një parking te pallati i rinisë që është model dhe një prej projekteve kryesore të z. Përparim Rama”, ka shtuar Zogaj.

Gjatë së hënës, kandidatët e tjerë të LDK-së për kryetarë të komunave e kanë vazhduar fushatën zgjedhore. Ilir Ferati në Istog ka premtuar që do të bëjë angazhim maksimal të komunës në sigurimin e kredive të buta në bankat zhvillimore ndërkombëtare për projektet kapitale në Istog. Ai është zotuar për ndërtimin e kolektorëve kryesorë për trajtimin e ujërave të zeza, vazhdimin e infrastrukturës për shtratin e lumit te burimi i Istogut, ndërtimin e një zone të re ekonomike për bizneset vendore dhe të huaja në Istog, e një sërë projektesh të tjera. “Ndërtimi i çerdhes së re për fëmijë në Gurrakoc dhe finalizimi i çerdheve të reja në Vrellë dhe Istog, si dhe zgjerimi i kapaciteteve të kopshteve ekzistuese. Ndërtimi i hapësirës rekreative te burimi i ujit në Vrellë. Ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të re në Istog”, ka thënë Ferati.

Në Deçan, kandidatja Hyri Dobrunaj është zotuar se do të sigurojë ujë dhe kanalizim për të gjithë qytetarët e Deçanit. Ajo ka deklaruar se investimet e parapara tejkalojnë kapacitetet financiare të Komunës, porse ato do t’i sigurojë me projekte të investitorëve, të cilët ka thënë se do t’i garantojë me transparencë dhe autoritetin e saj moral si kryetare e Komunës. “Programi ynë parasheh investime serioze multimilionëshe në funksion të shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në tërë territorin e Komunës së Deçanit”, ka thënë ajo.

Në Prizren, kandidati Anton Quni e ka ripërsëritur se me të kryetar, teleferiku për në kala do të bëhet realitet gjatë mandatit katërvjeçar. Ai ka deklaruar se projekti parasheh ndërtimin e tij, pa ndërhyrje në pamjen e vjetër arkitektonike të zonës së mbrojtur të qytetit, si dhe nuk prek as pamjen e bukur të saj.

Në Fushë-Kosovë, kandidati Burim Berisha për fshatin Kozmin, ka premtuar 360 mijë euro investime në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, kulturë, mjedis e agrobiznes.

Shëndetësinë si prioritet e ka vendosur edhe Ardian Shala, kandidat për kryetar të Suharekës. Ai është zotuar se do të përqendrohet në aktivitete vetëdijesuese, si duhani, alkooli, dhe narkotikët e se do të ketë vëmendje të shtuar për sigurim të mamografisë, imazherive diagnostike e aparaturave të tjera digjitale për ekzaminime radiologjike e laboratorike. “Shëndetësinë primare do ta ngre në nivelin meritor, mjeku familjar do të ketë vendin e merituar ashtu si armata e infermierëve të nderuar. Në kujdesin për shëndetin publik do t’i ngremë kontrollet e cilësisë së ujit, ushqimit, monitorimit të burimit të ndotjes dhe shkaktarëve të ndotjes”, ka deklaruar ai.

E në Mitrovicë, kandidati i LDK-së, Armend Agolli, është zotuar për rritje të punësimit në këtë komunë. “Duke qenë një qytet i varfër, Mitrovica nuk është fuqi blerëse që ju garanton atyre punë të mjaftueshme. Rruga e vetme është rritje e mirëqenies përmes punësimit, e cila gjithashtu do të ndikonte edhe në stabilizimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. Unë me ekipin tim do ta bëjmë”, ka thënë ai.