Lokalet 2021

Mehmeti premton zbrazje të kontejnerëve çdo 1 orë dhe lidhje të tyre me sensorë

Descriptive Text

Gëzim Mehmeti, kandidat për kryetar të Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re (AKR), ka premtuar se nëse do të zgjidhet kryetar në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, atëherë mbeturinat në qytet do të jenë çështje e mbyllur.

Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se kontejnerët do të zbrazën çdo një orë po qe nevoja dhe se ata do të përcillen përmes teknologjisë.

Mehmeti tha se siç ka pasur sukses në mandatin që po e përfundon si drejtor i Drejtorisë së Investimeve Kapitale, do të ketë sukses edhe si kryetar.

“Duke u bazuar në teknologjinë informative, kemi një vizion të qartë sa i përket çështjes së mbeturinave, ku në bashkëpunim me ndërmarrjen lokale ‘Pastrimi’ çdo një orë kontejnerët do të zbrazen, varësisht nga mbushja e tyre.

Mund të zbrazen çdo një orë nëse mbushen, pasi kjo bëhet më inteligjencë artificiale, vendosen sensorët dhe kur të mbushen ne shkojmë e zbrazim”, ka thënë Mehmeti.