Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja i premton Prizrenit zhvillim ekonomik

Për nënshkrimin e 13 zotimeve për lagjet “Kalabria” dhe “Veternik”, simpatizantët e PDK-së u desh ta prisnin 45 minuta kandidatin për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili.

Vonesën e tij, disa të pranishëm e shfrytëzuan për të bërë fotografi. E me të ardhur edhe Ismaili, të pranishmit patën vështirësi, për të mbajtur distancën mes vete. E ndërtimi i dy çerdheve e dy shkollave në këto dy lagje ka qenë zotimi i parë i tij.

“Shtimi i rrjetit të rrugëve të reja në ‘Veternik’, pastërti e ndriçim efiçient në çdo pjesë të lagjes, largimi i problemit të qenve endacakë, shtimi i brezave gjelbërues dhe hapësirave sportive, ndërtimi i parkut në Kalabri”, ka thënë kandidati i PDK-së për Prishtinën, Uran Ismaili.

Kandidati i PDK-së për kryeqytetin, tutje, ka thënë se këto dy lagje kanë mungesa të shërbimeve bazike dhe se PDK-ja do t’i zgjidhë të gjitha problemet.

Ndërkohë, Shaqir Totaj, kandidat për kryetar të Prizrenit, ka prezantuar programin e tij për ekonominë, ku ka thënë se do t’ju ofrojë mbështetje bizneseve dhe punëtorëve.
“Ekonomia e Prizrenit, bizneset e punëtorët të goditur rëndë nga pandemia jo vetëm që nuk u mbështetën por edhe u gjobitën. Si ekonomist me përvojë të gjatë i di nevojat që i duhen ekonomisë së Prizrenit dhe plani zhvillimor i imi do të fokusohet në një Fond të veçantë për ekonominë e qytetit, funksionalizimin e Zonës Ekonomike në 6-mujorin e parë dhe tërheqjen e investimeve të huaja”, ka theksuar Totaj.

E Bedri Hamza, gjatë një takimi me qytetarë të Mitrovicës, ka treguar arsyet pse ka vendosur të kandidojë për kryetar të kësaj komune.

“Respekti ndaj njerëzve të Mitrovicës, respekti i njerëzve të Mitrovicës ndaj meje dhe respekti e dashuria për qytetin, më kanë shtyrë t’i hyj garës për kryetar, që së bashku ta zhvillojmë Mitrovicën tonë.”

Hamza ka premtuar ndihmë për familjet me asistencë sociale, e përkrahje për sportistët e bizneset.