Rritje të subvencioneve për bujqit e fermerët ka premtuar kandidati për kryetar të Lipjanit, Adnan Rrustemi, duke thënë se bujqësia ka fokus të veçante në programin e tij qeverisës. Derisa Arben Vitia, kandidat për Prishtinën, është takuar me banorë të disa lagjeve.
Lagjja “Kodra e Diellit” e ajo “Dardania” kanë qenë lagjet e radhës që kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës ka zgjedhur t’i vizitojë.
Arben Vitia në këto dy lagje është takuar me banorë e me përfaqësues të bizneseve që janë në këtë pjesë, ku edhe ka kërkuar mbështetjen e tyre për zgjedhjet e 17 tetorit.
E Adnan Rrustemi, kandidat për kryetar të Lipjanit nga Lëvizja Vetëvendosje, ka folur për sektorin e bujqësisë dhe për atë se çfarë kanë paraparë në planprogramin e tyre.
Ai ka thënë se Lipjani ka potencial te madh për zhvillimin e bujqësisë, por duhet mbështetje institucionale.
“Ne kemi vullnetin e planin konkret e më të mirin për bujqësi. Ne planifikojmë të rrisim subvencionet për bujqit e fermerët në 500 mijë euro në vit, nga 200 mijë sa janë aktualisht”, ka premtuar Rrustemi.
Derisa kandidati për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me zv.ministrin e Infrastrukturës kanë vizituar punimet në zgjerimin e magjistrales Prishtinë-Podujevë.
Këta të dy kanë premtuar se kjo rrugë do të përfundojë deri në fund të nëntorit, ani pse tash e 5 vjet nuk ka përfunduar.