Punësimet familjare dhe degradimi i institucionit që duhet të ofronte shërbime për qytetarët, janë arsyet që kanë përmendur se i kanë shtyrë të garojnë për të parin e Malishevës, Selajdin Bytyqin si kandidat i pavarur dhe Alban Krasniqin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në debatin për Malishevën në KTV, Bytyqi ka thënë se e ka parë që qytetarët janë “të ngopur” me partitë politike dhe duan ndryshime.
“Ajo që më ka shtyrë të garoj, duke pa qeverisjen e fundit, duke e pa një burokraci të pandalshme, punësim të familjarizuar e dirigjim nga grupet e interesit. Kjo më ka shtyrë t’i hyj garës e të kontribuoj për komunën time. Jam shumë i vetëdijshëm që e kam bukur vështirë, por kam pas kërkesa dhe kam telefonata të pandalshme nga qytetarët se janë ngopur me partitë politike sepse ata që e kanë votuar deri më tash partinë që po qeveris, e që është në shkuarje, janë të bindur se sikur hallkat zinxhirore si kryetari, nënkryetari e drejtorët, po punësojnë vetëm familjarët e tyre.... janë bindur që të mos vazhdojnë më”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se “duke parë degradimin e institucionit që duhet t’u ofronte shërbime cilësore qytetarëve e duke parë tentimin e pushtetit për të kontrolluar gjithçka, natyrshëm që të bën të rrish i qetë e të aktivizohesh”.
Sipas tij, në Malishevë ka degradim edhe në arsim.