Me premtim për sallë koncertale dhe parking nëntokësor në lagjen “Arbëri” e ka vazhduar fushatën kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama.
Ai ka thënë se nga 35 milionë euro, sa do të kushtojë ky projekt, 20 milionë do të jenë fonde të IPA-s dhe 15 milionë investime publike-private.
“Në këtë zonë do të ndërtojmë sallën koncertale, objekt shumë i domosdoshëm për komunitetin artistik dhe Prishtinën e përjetimeve. Do të krijojmë parkingjet nëntokësore, të cilat do të vihen në shërbim të sallës koncertale, stadiumit dhe pallatit të rinisë”.
E kandidati për Vushtrrinë, Xhafer Tahiri, ka premtuar ndërtimin e një rruge që lidh me qytetin disa fshatra të kësaj komune.
“Kjo rrugë e shkurton distancën në mes të fshatrave të Çyçavicës dhe qytetit të Vushtrrisë dhe e hap një perspektivë ndryshe të zhvillimit të qytetit tonë. Prandaj, në buxhetin e vitit 2022 ne e kemi paraparë fillimin e ndërtimit të kësaj rruge, e cila është një projekt 3-vjecar”, ka thënë Tahiri.
Rindërtim të stadiumit të qytetit në Gjilan ka premtuar Lutfi Haziri, kandidat për këtë komunë.
Ai ka thënë se arsyeja e vonesës së rindërtimit të stadiumit ka qenë kërkesë e UEFA-s, sepse do të ndërtohet si një ndër stadiumet më të mëdha në Evropë.
Ndërsa kandidati për Istogun, Ilir Ferati, ka premtuar fuqizim të grave.
Ai ka thënë se sipas programit të tij çdo taksë dhe tatim komunal do të eliminohet për bizneset e grave dhe çdo vend i ri pune që krijohet nga to do të subvencionohet.