Virtualisht ka vazhduar edhe sot fushata e kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Nga kjo parti në Rahovec është premtuar më shumë mbështetje për nënat e reja. Ndërkohë kandidati për Podujevën, Besnik Tahiri, e ka publikuar programin e tij qeverisës. Ulja e papunësisë dhe zhvillimi ekonomik janë në mesin e premtimeve të tij.
Me premtim për rritje të shumës në përkrahje të nënave të reja e ka vazhduar fushatën digjitale kandidati i AAK-së për Rahovecin.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Smajl Latifi ka thënë se deri më tani ato janë përkrahur me nga 200 euro, teksa synohet që kjo shumë të dyfishohet.
“Tashmë kjo përkrahje do të bëhet 300 euro, ndërsa synojmë rritjen deri në 500 euro brenda mandatit. Krijimi dhe rritja e familjeve ka shumë sfida, por është edhe përjetim i jashtëzakonshëm në vetvete. Andaj, si kurrë më parë, Komuna do të ndihmojë nënat lehona dhe familjet në rritjen e foshnjave”, ka thënë ai.
E kandidati i kësaj partie për Podujevën, Besnik Tahiri, e ka publikuar planprogramin e tij qeverisës.
Tahiri ka premtuar ulje të papunësisë, zhvillim ekonomik, zhvillim të infrastrukturës dhe rritje të standardeve të jetesës.
Zhvillim në fusha të ndryshme ka premtuar edhe kandidati për Istogun, Bekë Berisha.
Ai është takuar me istogasit dhe atyre u ka premtuar investime të shumta, zhvillim të bujqësisë, turizmit, arsim cilësor dhe siguri shëndetësore.
E përkrahjen nëpërmjet videove në Facebook kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, e ka vazhduar pikërisht në qytetin e Istogut.
Ai bashkë me Berishën kanë premtuar zhvillim dhe qeverisje të mirë për këtë qytet.
“Ju siguroj se me Bekën, Istogu do t’i kalojë komunat e tjera me zhvillim dhe do të jetë shembull i mirë i qeverisjes në vend. Me Bekën janë edhe plot ekspertë të zotë të Istogut, njerëz të dalluar e familjarë të mirë ata të cilët do të jenë zëri juaj në asamblenë komunale”, është shprehur Haradinaj.
Ndërkohë kandidati për Pejën, Rrustem Berisha, i ka vizituar zjarrfikësit në këtë qytet.
Në llogarinë e tij në Facebook ai ka thënë se është zotuar para tyre që do të punojnë së bashku për modernizimin e pajisjeve dhe rritjen e kapaciteteve për zjarrfikësit.
Fushatën digjitale e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si: Daut Haradinaj, Nazim Gagica e Hasan Ismajli.