Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ “Jo me humor, por të listës fituese” - AAK-ja kërkon vota nëpër komuna

“Jo me humor, por të listës fituese”

Kështu e ka quajtur listën me emrat e kandidatëve për asamble, Ardian Gjini, kandidat për kryetar të Komunës së Gjakovës nga AAK-ja e kryetar aktual i kësaj komune.

Gjini përmes një videoje në facebook, ka treguar për 36 kandidatët për asamble duke treguar edhe për profesionin e tyre. Ai ka thënë se “në katër vjetët e fundit, Gjakovës ia kanë kthyer gjallërinë duke ia ringjallur ekonominë, përmes punësimit dhe rritjes së të hyrave”.

Prezantimin e kandidatëve në rrjete sociale, e ka bërë edhe kandidati për kryetar të komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, po ashtu kryetar aktual.

E Rrustem Berisha, kandidat për të parin e Pejës, ka vizituar një lagje në këtë qytet, ku ka thënë se kanë biseduar për nevojat dhe kërkesat e tyre, të cilat do të përmirësonin dhe avanconin kualitetin e jetës.

Juniku, ka qenë qyteti i radhës që, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar, duke kërkuar edhe mbështetjen e qytetarëve, për kandidatin për kryetar të komunës së Junikut, Agron Kuçi.

Derisa kryetari aktual i Deçanit, i cili është edhe nga AAK-ja, e që synon një mandat të dytë në këto zgjedhje, ka ndarë disa foto me qytetarë, ku ka vizituar disa nga projektet që sipas tij, i kanë realizuar dhe i kanë dhënë imazh të bukur Deçanit.