Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Rama premton para për prindërit që s’mund t’i çojnë fëmijët në çerdhe publike

Kandidatët e LDK-së për kryetarë të komunave ditën e dytë të fushatës e kanë zhvilluar me tubime të vogla njerëzish pa prani të mediave.

Nëpërmjet Facebookut ata kanë publikuar fotografi me ekipet e tyre duke premtuar përmirësim në fusha të ndryshme të jetës.

Kandidati i kësaj partie për kryeqytetin, Përparim Rama, derisa ka vizituar pjesën e qytetit të vjetër të Prishtinës, ka dhënë disa premtime mes tyre mbështetje familjeve të cilat nuk kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe publike.

“Kjo lagje ka mungesë të madhe të çerdheve publike por ka mjaft private. Shumë familje nuk kanë mundësi të paguajnë një çerdhe private, andaj ne si qeveri lokale do t’i japim një plotësim prej 70 eurove të gjithë atyre prindërve që janë të detyruar t'i dërgojnë fëmijët në çerdhet private në këtë lagje”, ka premtuar ai.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të premten ka vendosur që mbështetje t’i japë kandidatit për kryetar të Malishevës, Bajrush Hoti.

Hoti pa dalë në detaje, si e tek, ka dhënë një premtim goxha të madh.

“Kryetari në ardhje Bajrush Hoti shpalosi programin qeverisës të LDK-së për 4 vitet e ardhshme, programi ky i cili përfshin zgjidhjen e problemeve të banorëve të Turjakës, dhe gjithashtu premtoi zgjidhjen e të gjitha problemeve të të gjitha fshatrave të Komunës së Malishevës”, thuhet në njoftim të LDK-së.

25 ditë të fushatës LDK-ja ka vendosur t’i zhvillojë të mbyllura nga mediat dhe në formë digjitale.