Lifestyle

Zgjidhje të thjeshta për ndjesinë e thartirës

Shëndeti

Shëndeti

Shumica e njerëzve e kanë përjetuar ndonjëherë ndjesinë e thartirës në stomak, sidomos pas një vakti të rëndë, shumë të shpejtë ose me ushqim djegës. Ky shqetësim quhet urth dhe shkaktohet nga refluksi acidik, kur acidi i stomakut ngjitet në ezofag dhe ndonjëherë deri në gojë, ka shkruar The Washington Post.

Sipas doktoreshës Yi Qin, specialiste e traktit gastrointestinal në “Cleveland Clinic”, me kalimin e moshës, muskujt që ndalojnë acidin të ngjitet lart humbin fortësinë. Ajo shton se shtimi i peshës ose shfaqja e hernies hiatale (kur një pjesë e stomakut ngjitet në zgavrën e kraharorit) e bën edhe më të shpeshtë këtë problem.

“Shumë raste të urthit mund të lehtësohen me ndryshime të thjeshta në stilin e jetesës dhe përdorim afatshkurtër të barnave”, ka thënë doktori Michael S. Smith, gastroenterolog në “Icahn School of Medicine” në New York.

Por nëse urthi ndodh më shumë se dy herë në javë, mund të bëhet fjalë për sëmundjen e refluksit gastroezofageal (GERD), që kërkon trajtim më serioz. Sipas doktorit Kyle Staller, gastroenterolog në “Massachusetts General Hospital”, GERD mund të sjellë edhe dhimbje krahu, kollë të thatë, vështirësi në gëlltitje, dhe në raste ekstreme, rrezik për kancer në ezofag.

Ndryshime në stilin e jetesës

Hapat e përditshëm mund të bëjnë diferencë të madhe. Një studim i Harvardit i vitit 2021 i botuar në “JAMA Internal Medicine” ka zbuluar se gratë që:

-mbanin peshë trupore të shëndetshme,

-nuk pinin duhan,

-bënin 30 minuta aktivitet fizik çdo ditë,

-konsumonin jo më shumë se dy filxhanë kafe, çaj ose pije të gazuara në ditë,

-ndiqnin dietë të pasur me fruta, perime, drithëra të plota dhe peshk,

kishin gati 40% më pak rrezik për të zhvilluar urth.

Gjithashtu, mos u shtrini për 2 deri në 3 orë pas ngrënies, sepse kjo favorizon ngjitjen e acidit.

“Rekomandoj që pacientët ta ngrenë anën e sipërme të shtratit. Kjo pozitë shfrytëzon gravitetin për ta mbajtur acidin në stomak”, ka thënë doktori Jacob Kurlander nga University of Michigan.

 

Kurse Qin ka këshilluar të “flini në anën e majtë, pasi kjo e mban lëngun e stomakut larg ezofagut”.

Kur keni urth herë pas here

Nëse e ndieni urthin një ose dy herë në javë, mund ta menaxhoni vetë. Shikoni kur dhe çfarë ushqimesh e shkaktojnë, si kafeina, ushqimet yndyrore, çokollata, alkooli ose gjethet e mentës, dhe përpiquni t’i shmangni.

Për lehtësim të shpejtë, mund të përdorni ilaçe si kalcium karbonati ose alumini dhe magnezi hidroksid.

“Ato neutralizojnë acidin në stomak dhe ezofag, por veprimi i tyre zgjat vetëm 30 deri në 60 minuta”, ka thënë Smith.

Nëse urthi zgjat më shumë se një orë pas ngrënies, provoni ilaçe që krijojnë barrierë mbrojtëse mbi acidin.

Për efekt më të gjatë, mund të përdorni ilaçe bllokuese si cimetidine apo famotidine të cilat ulin prodhimin e acidit për disa orë.

Kur duhet të shkoni te mjeku?

Nëse jeni mbi 60 vjeç dhe nuk keni pasur më parë urth, por tani po përjetoni, vizitohuni tek mjeku. Kjo mund të sinjalizojë inflamacion, ndryshime para-kanceroze apo edhe kancer në ezofag.

Nëse keni urth më shumë se dy herë në javë, mjeku mund të rekomandojë një trajtim me PPI (inhibitorë të pompës protonike).

Këto bllokojnë pompën që prodhon acid në stomak. Por përdorimi i gjatë i tyre mund të lidhet me fraktura kockore, infeksione serioze apo sëmundje kronike të veshkave.

“Përdorimi për disa javë është zakonisht i sigurt”, ka thënë doktori Fouad Moawad nga Scripps Clinic.

Trajtimi afatgjatë dhe ekzaminimet

Nëse urthi vazhdon pas dy javësh me PPI, mjeku mund të rekomandojë endoskopi, një tub fleksibil me kamerë që futet në ezofag për të parë në brendi dhe për të bërë biopsi, nëse nevojitet.

“Në raste të rënda të refluksit, mund të shohim plagë në shtresën e ezofagut”, ka thënë doktor Staller.

 

Nëse gjendet “Barrett’s esophagus” (kushte në të cilat ka ndryshime jonormale në qeliza) që rrit rrezikun për kancer, trajtimi afatgjatë me PPI mund të jetë i domosdoshëm.

Në disa raste, mjeku mund të rekomandojë edhe ilaçin më të ri, që quhet vonoprazan që ul acidin, por mund të ketë të njëjtat rreziqe si PPI-të.

“Mjekët duhet të kontrollojnë rregullisht nëse pacientët kanë ende nevojë për ilaçin apo mund të ndalen”, thekson Shoqata Amerikane e Gastroenterologjisë.

Dhe nëse nuk ndieni urth, por keni simptoma të tjera?

Edhe pa urth të ndjeshëm, disa të moshuar mund të kenë refluks “të heshtur”, i njohur si LPR. Simptomat përfshijnë:

-dhimbje të vazhdueshme fyti,

-kollë të thatë,

-vështirësi në gëlltitje,

-ndjesinë sikur keni një “topth” në fyt.

Në këto raste, analiza për të matur sasinë e acidit që kalon në ezofag mund të ndihmojë. Rënia në peshë dhe ndryshimet në stilin e jetesës shpesh ndihmojnë, dhe nëse jo, një trajtim i shkurtër me ilaçe acid-bllokuese mund të jetë i nevojshëm.