Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Zgjedhja e mëngjesit të duhur për shmangien e yndyrës

Derisa fokusoheni në mënyrat e zvogëlimit të dhjamit në bark, ekzistojnë disa faktorë të ndryshëm që duhet konsideruar. Fokusohuni në ushtrimet fizike, pirja e sasisë më të madhe të ujit dhe konsumimi i më pak sheqernave. Të gjitha këto ndikojnë në largimin e dhjamit të barkut. 

Pra në përgjithësi duhet ndryshuar shprehitë e ushqyerjes. Në veçanti, zgjedhja e një mëngjesi cilësor dhe me vlera ushqyese është e rëndësishme për shëndetin e barkut, ndërkohë që kufizohen ushqimet që nuk i bëjnë aspak dobi shëndetit, raportoi të mërkurën portal “Eat This, Not That”.

Sipas ekspertëve shëndetësorë, një nga ushqimet më të këqija të mëngjesit që mund të hani për dhjamin e barkut janë petullat. 

Ashtu siç nuk duhet veçuar asnjë ushqim si kontribuues në shtimin e peshës ose probleme të caktuara shëndetësore, nuk duhet veçuar një mëngjes si fajtor për rritjen e yndyrës në bark. Sidoqoftë, opsionet me sasi të larta të sheqerit, si petullat, shquhen si një ushqim klasik i mëngjesit që thjesht përmban sheqer të shtuar dhe asnjë vlerë ushqyese të shëndetshme. 

Në fakt, një studim i botuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese, vërtetoi se ngrënia e tepërt e sheqerit shoqërohet me depozita më të mëdha yndyre, si rreth zemrës ashtu edhe në bark, duke shkaktuar yndyrë viscerale e cila është e rrezikshme për shëndetin tuaj.

Një ushqim që përbëhet kryesisht nga sheqeri i cili konsumohet në mëngjes, mund të ndikojë në rritjen e sheqerit në gjak dhe shtimin e urisë. Një dietë plot me sheqer të shtuar dhe kalori të tepërta, e cila është dieta tipike amerikane, mund të çojë në mbledhjen e dhjamit në bark por edhe shtimin e peshës në të gjithë trupin. 

Ajo çfarë mjekët rekomandojnë është të siguroheni që të përfshini proteina në mëngjes, të tilla si vezë ose gjalpë arroresh. Shtimi i proteinave ndihmon në stabilizimin e sheqerit në gjak deri në vaktin e ardhshëm, dhe e siguron një ditë më të ekuilibruar, ndryshe nga ushqimet me sheqer që do e shtojnë ndjenjën e urisë. 

Si gjithmonë, duhet shikuar më larg kur bëhet fjalë për shëndetin dhe ushqimin, dhe sugjeroheni të filloni të bëni rregullime në shprehitë e përgjithshme të ushqyerjes që mund ta përmirësojnë trupin nga brenda, e pse jo edhe ta zvogëlojnë dhjamin në zonën e barkut.

Artikuj të ngjashëm