Lifestyle

Ushqimi që e përmirëson disponimin dhe na bën të lumtur

Është dëshmuar se ushqimi mund të ndikojë në disponim dhe se ekzistojnë ushqime të cilat e rrisin rrezikun e stresit dhe luhatjeve të disponimit. Duke aplikuar ndryshime të vogla në shprehitë e ngrënies, ju mund të bëni shumë për shëndetin tuaj fizik dhe psikologjik. Është dëshmuar se disa ushqime mund t’ju ndihmojnë në këtë, transmeton koha.net.

Çokollata e zezë

Nëse keni nevojë për një tjetër arsye që të filloni të konsumoni çokollatë të zezë, duhet të dini se studime të shumta kanë treguar se çokollata e zezë përmban të paktën 60% kakao, mund ta zvogëlojë nivelin e stresit dhe ta rritë ndjenjën e kënaqësisë.

Vezët

Vezët përmbajnë acide yndyrore esenciale të cilat janë të nevojshme për prodhimin dhe lirimin e duhur të serotoninës. Nivelet e ulëta të serotoninës janë të lidhura ngushtë me depresionin, ankthin, pagjumësinë dhe lodhjen kronike.

Bajamet

Bajamet e përmbajnë një gamë të ushqyesve, duke përfshirë acidin folik dhe magnezin. Magnezi është thelbësor për funksionimin e duhur të trurit, ndërsa studimet kanë treguar se mund të ndihmojë në parandalimin dhe lehtësimin e simptomave të depresionit.

Thjerrëza

Thjerrëza është një burim i shkëlqyer i acidit folik i cili është i nevojshëm për funksionimin e duhur të trurit dhe parandalimin e një vargu të çrregullimeve psikike dhe mendore. Thjerrëza përmban rreth 90% të dozës së rekomanduar ditore të acidit folik ndërsa është burim i shkëlqyer i aminoacideve, gjë që është e rëndësishme për prodhimin e duhur të norepinefrinës dhe dopaminës.

Farat e kungullit

Mungesa e zinkut mund të shkaktojë disponim të keq dhe ta rrisë rrezikun e depresionit. Farat e kungullit janë një burim i shkëlqyeshëm i zinkut, dhe për to është dëshmuar se e përmirësojnë disponimin tuaj dhe e zvogëlojnë rrezikun nga depresioni.

Bollguri

Bollguri është i shkëlqyeshëm për përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm mendor. Krejt kjo në saje të shumë ushqyesve që ai i përmban, duke përfshirë edhe nivelet e larta të magnezit. Bollguri është gjithashtu një burim i shkëlqyer i fibrave të tretshme, të cilat ndihmojnë për ta stabilizuar nivelin e sheqerit në gjak dhe kështu ndihmojnë në parandalimin e luhatjeve të disponimit.

Acidet yndyrore Omega 3

Mungesa e acideve yndyrore omega 3 mund të jetë shumë e keqe për gjendjen mendore. Studimet kanë treguar se acidet yndyrore omega 3 janë efektive në luftimin e depresionit. Disa nga burimet më të mira të acideve yndyrore omega 3 e përfshijnë vajin e lirit, vajin e ullirit, arrat dhe peshkun e yndyrshëm.