Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ushqimet që mund ta rrisin rrezikun e demencës

Nëse jeni mbi moshën 30 vjeç, me siguri ju ka shkuar në mendje që një ditë mund të prekeni nga demenca. Shumë njerëz shqetësohen për demencën dhe sëmundjen e Alzheimerit sepse fatkeqësisht ende nuk ka kurë për to.

Ndërsa shkenca nuk mund t’i ndalojë këto sëmundje shkatërruese, një studim i ri sugjeron diçka të mirë brenda aftësisë sonë për ta reduktuar rrezikun për t’u prekur nga to, e që është reduktimi i ushqimeve ultra të përpunuara. Në këtë grup hyjnë ushqimet e tilla si, pijet e gazuara dhe të sheqerosura, patatinat, hot-dogët, petullat, hamburgerët, patatet e skuqura, buka e bardhë, pica dhe ëmbëlsirat, shkruan portali “Eat This, Not That”.

Studiuesit nga Shkolla Mjekësore e Universitetit të São Paulos u bënë pjesëmarrësve teste të kujtesës në fillim dhe në fund të hulumtimit 10-vjeçar, dhe i krahasuan rezultatet me dietat e raportuara të tyre. Analiza zbuloi se burrat dhe gratë që kishin konsumin më të lartë të ushqimeve ultra të përpunuara, treguan një normë 28 për qind më të shpejtë të dobësimit të kujtesës dhe një rënie 25 për qind më të shpejtë të funksionit ekzekutiv të trurit, krahasuar me njerëzit që hanin më pak ushqime të shpejta.

Funksioni global i trurit i referohet aktivitetit në shkallë të gjerë në të gjithë trurin, ndërsa funksionet ekzekutive, të përpunuara në korteksin para-frontal, përfshijnë kujtesën, zgjidhjen e problemeve, vëmendjen dhe vetëkontrollin.

Rezultatet e studimit nuk janë befasuese sepse të gjithë e dimë se dietat e pasura me ushqime ultra të përpunuara janë të lidhura me përqindje më të larta të obezitetit, diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare, dhe këta janë gjithashtu faktorë rreziku të lidhur me rrezikun më të lartë për dobësim të kujtesës. Ushqimet që shkaktojnë shtim në peshë dhe janë të dëmshme për zemrën, kanë tendencë të jenë të këqija edhe për trurin.

Ushqyerja duke pasur parasysh shëndetin e trurit është e domosdoshme. Është njësoj sikur kur ushqehemi për një shëndet më të mirë të zemrës. Ekspertët shëndetësorë sugjerojnë që t’i përmbaheni një diete të shëndetshme me bimë të pasura, me perime, fruta dhe drithëra të plota, dhe një diete që është e ulët në yndyra të ngopura dhe sheqerna të shtuara. Një veprim i tillë do t’i mbajë enët e gjakut të pastra duke i maksimizuar lëndët ushqyese dhe oksigjenin në tru dhe duke ndihmuar në parandalimin e rënies së funksionit njohës.